AlbanianSport.com 23.10.2014 08:35
ASNN – Një tjetër skuadër italiane është mundur në sfidat e Ligës së Kampioneve. Pas Romës, është Juventusi që mundet nga Olimpiakosi me rezultatin 1-0. Mjaft mirë paraqiten skuadrat gjermane, si Borusia e Dortmundit dhe Bajer Leverkusen që fitojnë dhe kryesojnë grupet përkatëse. Reali i Madridit siguron një fitore të rëndësishme ndaj Liverpulit, duke e mundur 3-0.
Juventus e ka mbyllur me humbje ndeshjen e tretë të grupit A të Ligës së Kampioneve, duke e vështirësuar rrugën drejt kualifikimit. Një gol i futbollistit me origjinë shqiptare të përfaqësueses së Zvicrës, Pajtim Kasamit, i ka dhënë tri pikët Olimpiakosit që ndodhet tashmë në vendin e dytë në grup me 6 pikë, po aq sa Atletiko Madrid që ndodhet në vendin e parë, pas fitores 5-0 me Malmoen.
Në grupin B, Reali i Madridit ka fituar 3-0 ndaj Liverpulin. Kristiano Ronaldo është heroi I takimit pasi ka realizuar dy gola. Më në fund “fenomeni” portugez arrin të shënojë në fushën e “Enfilld Road”, ku nuk realizonte as kur luante në Premier Ligën Angleze me Mançester Junajtid dhe as në Ligën e Kampioneve. Vulos rezultatin në 3-0 për Realin Karim Benzema.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Ludogorets ka mundur 1-0 Bazelin. Tashmë situata ndërlikohet për skuadrën e dytë që do të kualifikohet në këtë grup, pasi vetëm Reali ka 9 pikë të plota, të tjerat kanë nga 3. Bajer Leverkuseni ka fituar 2-0 me Zenitin e Shën Pjetërburgut, duke u ngjitur kështu në krye të grupit C. Donati e Papadopulos janë autorët e golave për skuadrën gjermane.
Ndërsa ndeshja tjetër e këtij grupi ajo midis Monakos e Benfikës është mbyllur në barazim pa gola. Në grupin D, Arsenali ka vuajtur deri në minutën e fundit të takimit për të marrë fitoren dhe tri pikët në sfidën ndaj Anderlehtit. Skuadra e trajnerit kosovar, Besnik Hasi, kaloi e para në epërsi me anë të Naharit. Më pas, anglezët shënojnë dy gola për 3 minuta, me anë të Gibsit në minutën e 89-të dhe Podolskit, dy minuta më pas.
Nuk e ka patur aspak të vështirë fitoren Borusia e Dortmundit në fushën e Gallatasarajit. Skuadra gjermane ka fituar 4-0 falë golave të realizuar nga Aumabejang, Rojs e Ramos. Dortmundi tashmë kryeson grupin D, me 9 pikë, i ndjekur nga Arsenali, me 6 pikë.