AlbanianSport.com 21/04/2019 21:10
ASNN – Juventusi është shpallur të shtunën edhe matematikisht “kampion” i Serisë A për sezonin 2018-2019, edhe pse nuk ka mbaruar ende kampionati. Pas fitores 2-1 me Fiorentinën, bardhezinjtë bëhen kampionë të Italisë për herë të 8-të radhazi, por, për tifozët zhgënjimi i eliminimit nga Liga e Kampioneve dhemb ende. Tifozët e Juventusit kanë festuar deri në orët e para të mëngjesit të së dielës, fitimin e titullit të 35-të, i 8-ti radhazi për skuadrën bardhezi.
Me këtë ata duan të harrojnë disi zhgënjimin e eliminimit të skuadrës së tyre nga çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Kjo ka bërë që në sheshin “Piazza San Carlo”, në zemër të Torinos, të jenë vetëm disa qindra tifozë, për festimin tradicional të titullit. “Kënaqësia për fitoren e titullit të 8-të radhazi është e madhe. Por zhgënjimi i eliminimit në Ligën e Kampioneve është më i madh. Sidoqoftë, fitimi i 8-të titujve radhazi do të mbetet në histori dhe nuk besoj se do të arrihet më. Kemi arritur një rezultat të jashtëzakonshëm” – ka thënë Alberto Ghirardi, një tifoz i Juventusit.
Edhe Paolo Leone, mbështetës i Juventusit, kërkon të ngushëllohet me fitimin e titullin “kampion” në Serinë A të Juves, por vuan ende dhimbjen e freskët të eliminimit nga Liga e Kampioneve.”Fitimi i Ligës së Kampionëve është i vështirë, është një llotari, nuk do vetëm aftësi, por edhe pak fat, gjë që ne na ka munguar gjithmonë në vitet e fundit, -thotë ai. – Për sezonin e ardhshëm, megjithatë, jam shumë, shumë i bindur se do të fitojmë.”
Ndërsa Vinçenco Gati, gjithashtu tifoz i Juventusit, shprehet se duhet të ndryshojnë disa lojtarë në formacion, përndryshe Kristiano Ronaldo do të largohet nga bardhezinjtë. “Nuk e di nëse Juventusi do të ndryshojë disa nga lojtarët e tij apo qoftë edhe trajnerin. Por që diçka duhet të ndryshojë kjo duhet. Përndryshe Ronaldo do të largohet me siguri”, – ka theksuar ai.