AlbanianSport.com 06/01/2021 22:35
ASNN – E mund 3-1 në shtëpi dhe i shkakton humbjen e parë në kampionat, por kuqezinjtë ruajnë kreun. Java e 16-të e nivelit më të lartë të kampionatit italian të futbollit është mbyllur të mërkurën në mbrëmje me përballjen më të spikatur të saj, atë midis Milanit dhe Juventusit. Dueli midis kryesueses aktuale të renditjes dhe kampiones në fuqi të Serisë A, i zhvilluar në Stadiumin “San Siro” të Milanos, ka parë miqtë nga Torino të kalojnë të parët në epërsi pas 18 minutash lojë, kur Federiko Kieza shndërroi në gol një pasim të Paolo Dibalasë.
Por skuadra vendase do të barazojë shifrat 4 minuta para fundit të kohës së rregullt, kur Davide Kalabria do të përfitojë më së miri nga pasimi i Rafael Leaos dhe do të përshëndesë rrjetën. Pjesa e parë e këtij takimi do të mbyllet kështu në barazim 1-1. Ajo e dyta do të nisë e baraspeshuar, por është sërish Juventusi që kalon në epërsi, kur binomi Dibala-Kieza jep sërish fryte.
Skuadra torineze do të vijojë ta administrojë epërsinë në “San Siro”, madje edhe ta thellojë atë 16 minuta para fundit të kohës së rregullt, me anë të Ueston MekKinit dhe rezultati 3-1 në favor të Juventusit do të mbetet në fuqi deri në fund. Milani mbetet në krye të renditjes me 37 pikë, një më tepër sesa Interi, ndërsa Juventusi ndodhet në vendin e 4-të, me 30 pikë, por me një ndeshje më pak.