AlbanianSport.com 15.04.2015 11:15
ASNN – Juventusit i ka mjaftuar një gol i realizuar nga Vidal me 11-metërsh për fituar ndeshjen e parë ndaj Monakos, e vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Ndërsa ndeshja tjetër Atletiko Madrid-Real Madrid është mbyllur në barazim 0-0.
Ka përfunduar 1-0 për Juventusin ndaj Monakos, ndeshja e parë çerekfinale e Ligës së Kampioneve e luajtur në Torino. Ndeshja ka qenë e vështirë, pasi skuadra nga Montekarlo ka luajtur mjaft mirë. Fatin e këtij takimi e vendosi një episod i dyshimtë.
Në minutën e 57-të, Karvajo pengon Moratën pak centimetra larg vijës së zonës së rreptësisë. E gjyqtari Kralovec jep 11-metërsh në favor të Juventusit, ndërsa e ndëshkon me karton të verdhë mbrojtësin e Monakos.
Nga pika e bardhë, Vidali është treguar i saktë dhe 1-0 për Juventusin. Ndeshja e kthimit luhet pas 7 ditësh në Montekarlo. Në ndeshjen e tjetër çerekfinale të luajtur në “Visente Kalderon”, dy skuadrata madrilene e kanë mbyllur takimin 0-0.
Në pjesën e parë është Reali i Madridit që dominon, por portieri i Atletikos, Oblak, është i jashtëzakonshëm me pritjet e tij. Në pjesën e dytë gjithçka duket e barabartë dhe derbi madrilen mbyllet 0-0. Ndeshja e kthimit do të luhet në “Santiago Bernabeu” pas 7 ditësh.