AlbanianSport.com 23/01/2019 13:20
ASNN – Në vjeshtë ai u bë pjesë e Sentrëll Kost Merinërs në Ligën A të Australisë, me shpresën se mund të përfitonte shuma të majme parash, por edhe për të mbajtur gjallë karrierën e tij sportive, si dhe një ëndërr që gjithmonë e ka joshur, futbollin. Por atleti “kampion” e rekordmen bote, i papërsëritshmi Jusein Bolt, vendosi të tërhiqet përfundimisht nga sporti.
Shkak është mosarritja e një marrëveshje me klubin australian, të cilit i kërkon 2 milionë Euro në sezon e klubi australian nuk ofroi as 10% të kësaj shume. Duke folur për “ESPN”, Bolti pranoi se i ka dhënë fund përpjekjeve të tij për të qenë pjesë e futbollit profesionist. “Mund të them se nuk mora vendime të zgjuara”, – shprehet ndër të tjera atleti rekordmen në sprintin e 100 dhe 200 metrave.
“Mund të kisha zgjedhur një mënyrë tjetër për t’u futur në botën e futbollit, por do jetë një mësim për të ardhmen, – ka pohuar xhamajkani. – Ishte një përvojë e mirë. E shijova shumën të qenit pjesë e një skuadre. Atletika është krejtësisht ndryshe. Ishte bukur për aq sa zgjati. Tani kam mbyllur punë me sportin dhe do të përqendrohem në botën e biznesit.”
Bolti ka dominuar prej më shumë se 10 vjetësh garat e shpejtësisë në 100 dhe 200 metrave, duke qenë “kampion” i padiskutuar botëror dhe njëherësh “kampion” i shumëfishtë olimpik. Ai është edhe mbajtësi në fuqi i rekordit botëror në garën e 100 metrave, me 9 sekonda e 58 të qindtat, një rezultat që duket se nuk do të thyhet dot së shpejti.