AlbanianSport.com 13/10/2018 20:50
ASNN – Legjendari i atletikës botërore, rekordmeni i 100 e 200 metrave dhe njëherësh një nga sportistët më të dashur në botë, Jusein Bolt, vijon angazhimet e tij në Ligën A të Australisë në futboll, me skuadrën e tij Sentrël Kost Merinërs, ku së fundmi për ngjyrat e kësaj skuadre shënoi dy gola në një miqësore parasezonale në Australi. Pikërisht nga Australia, Bolt ka dhënë një intervistë për revistën e njohur “Stellar”, ku ka përcjellë një mesazh të qartë pse ai i hyri këtij sporti dhe ku dëshiron të arrijë.
Janë fjalë të ndjera të një kampioni të madh, pasi ka vënë bast me veten. Një bast që mund ta fitojë por edhe mund ta humbë dhe ai e pranon këtë. “Është diçka që gjithmonë kam dashur të bëj, – tha ai për revistën “Stellar”. – Unë thashë me vete: “Nëse unë mund të përfitoj nga kjo mundësi, atëherë do ta bëj”. Sepse për mua kjo është një sfidë dhe kur marr një sfidë, ajo më jep energji sërishmi. Unë nuk e di se deri ku do të shkoj, kështu që me të vërtetë nuk mund të vendos një qëllim për veten time pa kaluar viti i parë.”
“Pas këtij viti të parë mund të them: “Ndihem që mund të bëj më mirë nëse mund të stërvitet më shumë ose të punoj më shumë në aftësitë e mia” , – ka vijuar xhamajkani. – Ose mund të them: “Kjo nuk do të funksionojë. Ky sezon është vetëm një provë, dështon ose kalon”. Unë jam këtu vetëm për të bërë më të mirën, për të mësuar sa më shumë që të jetë e mundur dhe për t’u përmirësuar sa më shpejt që të jetë e mundur për të arritur në një nivel më të lartë. Kjo është sfida ime personale.”
“Gjithmonë kam dashur të jetoj në Australi. Unë vij këtu çdo vit për një pushim dhe ne qetësohemi. Njerëzit janë me të vërtetë të mirë për mua dhe nuk ka asnjë tifoz të çmendur. Ka shumë tifozë këtu, por ata janë të sjellshëm. Është e ngjashme me Xhamajkën, kështu që ndihem paksa normal”, – ka përfunduar atleti i shndërruar në futbollist, Jusein Bolt.