AlbanianSport.com 20.05.2015 10:10
ASNN – Jurgen Klop ka arritur një marrëveshje me Realin e Madridit dhe do të zëvendësojë në stolin e 10 herë “kampionëve” të kontinentit, Karlo Ançelotin. Sipas “Radio Dojçland”, njeriu që riktheu Dortmundin tek suksesi në futbolli gjerman dhe atë evropian, tashmë ka arritur marrëveshjen deri në verën e vitit 2018. Dje u përfol për një kalim të mundshëm të tij te Fenerbahçe, pasi vizitoi Stambollin, ndërkohë që sot duket se gjërat kanë ndryshuar.
Sipas mediave gjermane ai është përzgjedhur si trajneri i ardhshëm i Real Madridit në vend të Ançelotit, që pritet të largohet nga ky post në fund të këtij sezoni, një vit para skadimit të kontratës së tij në “Santiago Bernabeu”. Për të pritur zyrtarizimin duhet të presim edhe të paktën 15 ditë, derisa Dortmundit të zhvillojë finalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Volfsburgut.
Njëri nga trajnerët më të suksesshëm të momentit në Evropë, gjermani Jurgen Klop, pati deklaruar në mesin e muajit prill se do të tërhiqej nga drejtimi i skuadrës së Borusias së Dortmundit në fund të këtij sezoni. Klop e ka drejtuar Borusian e Dortmundit që nga 2008-ta, duke e udhëhequr këtë skuadër drejt dy titujsh “kampion” në Bundesligës, si dhe deri në finalen e Ligës së Kampioneve në 2013-tën, ku u mund nga Bajerni i Mynihut.