AlbanianSport.com 03.12.2016 12:30
ASNN – Mesfushori që militon në radhët e ekipit gjerman të GrojtherFyrthit, Jurgen Gjasula, mendon se në Kombëtaren Shqiptare ka dallavere. Ai mendon se në Kombëtare shqiptare lojtarët nuk ftohen me merita dhe shumë gjëra bëhen vetëm për interes. Mesfushori i GrojtherFyrthit shpreh keqardhjen që nuk luajti në Kampionatin Europian, por është i ndërgjegjshëm që vendimet i takojnë trajnerit.
“Ndeshjen me Izraelin nuk e ndoqa, vetëm rezultatin pashë, – thotë ai në një intervistë për “Revista Who”. – Personalisht nuk e kuptoj dot se si ka mundësi që lojtarët që luajnë në Gjermani nuk grumbullohen, ndërsa ata lojtarë që as nuk luajnë në ekipe të vetat grumbullohen. Por kjo është diçka që i takon trajnerit dhe më vjen keq ta them por në Shqipëri bëhen shumë gjëra vetëm për interes!”
“Normale që u mërzita për mungesën në Francë, – ka vijuar futbollisti i lindur në Tiranë. – Kisha shumë dëshirë të luaja për vendin ku kam lindur, me zemër jam 100 % shqiptar. Po këto gjëra nuk janë në dorën time.” Ish-anëtari i skuadrave si Kaizerslauterni, Bazeli, St. Galeni, FSV Frankfurti apo MSV Duisburgi është duke u riaftësuar nga një dëmtim i rëndë, që e ka lënë jashtë fushave për disa muaj.
“Në fund të muajit shtator, më saktë në datën 28 shtator, u dëmtova në stërvitje në thembrën e njërës këmbë. Shpresoj shumë që në fund të muajit janar të mund të rifilloj sërish me ekipin. Kam qenë shumë i mërzitur, shumicën e kohës e kam kaluar te prindërit. Ata më kanë ndihmuar shumë”, – ka përfunduar mesfushori shqiptar i ekipit gjerman të GrojtherFyrthit, Jurgen Gjasula.