AlbanianSport.com 21/04/2020 21:40
ASNN – Përtej faktit që ka shijuar një karrierë në nivelet më të larta të futbollit gjerman dhe atij evropian, ai mbahet mend për gafat dhe veprimet shpesh të çuditshme, që rrjedhimisht i kanë kuptuar edhe karrierën. Jens Lehmani u aktivizua gjatë karrierës së tij me skuadra si Shalke 04, Borusian e Dortmundit dhe Arsenalin. Në sezonin 1998-1999 provoi një aventurë të shkurtër dhe aspak pozitive si portier i Milanit, teksa numëron gjithashtu 61 ndeshje të zhvilluara me fanellën e përfaqësueses gjermane.
50-vjeçari ka qenë gjithmonë paksa i “çmendur” dhe ndryshe, midis shtyllave dhe fushës së blertë, por edhe jashtë saj. Ai është përfshirë së fundmi në diskutimin e madh që është hapur në Gjermani rreth rinisjes së kampionatit pa praninë e tifozëve. Në fakt, kriza e shkaktuar nga koronavirusi po i detyron drejtuesit të zhvillojnë ndeshjet me dyer të mbyllura. Tifozët e Bajernit të Mynihut reaguan të parët dhe janë kundër nisjes së futbollit pa tifozë.
Ndërkohë, nuk mund të mungonte në këtë diskutim as Lehmani, i cili ka dhënë një ide të veçantë dhe deklarata e tij për “Sport1” ka krijuar polemika të shumta në Gjermani. “Pse, në një stadium me 70 mijë vende siç është “Allianz Arena”, nuk mund të futen 20 mijë tifozë? – ka deklaruar ish-portieri. – Një largësi prej 10 metrash me njëri-tjetrin do të ishte e mjaftueshme për të shmangur ngjeshjen dhe tifozët nuk do të kishin kontakte mes tyre.”