AlbanianSport.com 04.10.2014 09:40
ASNN – Në kuadrin e Javës Evropiane të Lëvizjes, dje në Gjirokastër, Drejtoria Arsimore Rajonale në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve ka organizuar një aktivitet me shkollat e mesme të këtij qyteti. Në këtë aktivitet u përfshinë garat me biçikleta dhe aerobia, të cilat u demonstruan nga nxënësit e këtyre shkollave të mesme. Më tepër në këtë aktivitet ajo që ra në sy ishte gara me biçikleta, atje ku të paktën 70 nxënës hynë në garë me njëri-tjetrin, ndërsa ishin të ndarë në shkolla dhe përfaqësonin secili grupin e tyre.
Vendin e parë, në këtë garë me biçikleta, e meritoi shkolla 9-vjeçare “Koto Hoxhi”, nën kujdesin e dy mësuesve të edukimit fizik, Neritan Novi dhe Astrit Boni, të cilët kishin organizuar këtë garë me biçikleta në mënyrë mjaft të bukur. Pas përfundimit të këtij aktiviteti inspektori Besnik Toro, që mbulon të gjitha sportet në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Gjirokastrës, u shpreh: “Jemi në kuadrin e Javës Evropiane të Lëvizjes në qytetin tonë dhe menduam që, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore dhe QKF-në, të organizonim këtë aktivitet, i cili jep një kënaqësi për fëmijët dhe nxënësit e shkollave, të cilët demonstruan me shumë kënaqësi ushtrimet e tyre si në aerobi, ashtu dhe në garën me biçikleta.”
Por kjo nuk do të përfundojë këtu, pasi kjo javë do të jetë tepër e përmbushur edhe me aktivitete të tjera, të cilat do ta gjallërojnë qytetin tonë”, – ka shtuar Toro. Më pas mësueset Silva Labi dhe Roberta Grabova, të cilët janë marrë më ushtrimet e aerobisë, e kishin organizuar në mënyrë mjeshtërore këtë gjë. Dhe Silva Labi do të deklaronte për mediat: “Në radhë të parë dua të falenderoj Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe QKF-në që organizuan këtë aktivitet sportiv, i cili, për mua si mësuese, është një argëtim për gjithë nxënësit e shkollave të këtij qyteti.”
“E them këtë, sepse çdo aktivitet që zhvillohet ka bukurinë e vet. Por nuk do të ndalemi me kaq me këto aktivitet. Në javët në vazhdim do të zhvillojmë edhe aktivitete te tjera”. Në të njëjtën linjë është edhe mësuesja tjetër Roberta Grabova, theksoi: “Duam të falënderojmë edhe publikun e Gjirokastrës, që ishte prezent në shkallët e stadiumit të qytetit tonë. Unë mendoj se të tilla aktivitete i japin bukurinë e vet këtij qyteti me traditë në sport.”