AlbanianSport.com 18/08/2018 19:55
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur sot pasdite takimin e dytë të javës së saj dhe Kastrioti ka fituar 1-0 në Gjirokastër ndaj Luftëtarit. Takimi tjetër që është në program për sot, ai midis Tiranës dhe Kamzës, ka nisur të luhet në ora 19:45. Kështu, Kastrioti ka marrë një fitore minimale, por mjaft të vyer të shtunën pasdite në Gjirokastër, duke mposhtur me një gol të vetëm Luftëtarin vendas.
Në fakt, kjo fitore ishte përkundër rrjedhës së lojës, pasi gjirokastritët e dominuan pjesën e parë, duke qenë pranë golit, por pa e gjetur dot atë. Rasti më i mirë ka qenë për Rapon, i cili godet lehtë dhe portieri mik pret pa problem. Pavarsisht përpjekjeve të Luftëtarit, pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta do të vendoset nga episodi i minutës së 70-të, kur Kastrioti do të fitojë të drejtën e një 11-metërshi.
Mziu nuk gabon nga pika e bardhë dhe shënon golin që do t’u japë krutanëve fitoren dhe 3 pikët. Në fakt, java e parë ka nisur të premten me sfidën hapëse, atë midis Skënderbeut dhe Partizanit, e cila e ka mbyllur me rrjeta të paprekura pjesën e parë. Por pjesa e dytë do të përjetojë një ndërkprerje prej 16 minutash, pasi tifozeritë e dy skuadrave, në mungesë së pranisë së policisë në stadium, janë përleshur me njëra-tjetrën.
Pas rifillimit të ndeshjes, gjithçka do të vendoset nga minuta e fundit e kohës së rregullt, kur Muzak do të shndërrojë në gol një 11-metërsh, që do t’i japë Skënderbeut fitoren 1-0. Takimi i 3-të, i vlefshëm për javën e parë të Kategorisë Superiore, Tirana-Kamza, ka nisur të luhet në ora 19:45.