AlbanianSport.com 25/08/2018 18:55
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të shtunën dy ndeshje të tjera dhe Partizani ka marrë një fitore minimale, por mjaft të vyer në Kamëz ndaj skuadrës vendase. Ndërsa Laçi ka kapërcyer pësimin e një goli dhe ka përmbysur gjithçka në sekondat e fundit, duke fituar 2-1 në shtëpi ndaj Luftëtarit. Partizani ka vuajtur, por ia ka dalë të marrë një fitore minimale, por mjaft të vyer në Kamzë përballë skuadrës vendase, në takimin e vlefshëm për javën e dytë të Kategorisë Superiore.
Në minutën e 13-të vjen një rast i shkëlqyer për vendasit. Plaku përfiton nga rrëzimi i Ibrahimit dhe depërton nga e majta, e dërgon topin në zonë për Roloviçin, i cili shumë pranë vijës fatale gabon duke goditur jashtë. Skuadra e Kamzës fiton një 11-metërsh, pas një pengimi në zonë të Sebino Plakut nga Alban Hoxha. Gjyqtari Olsi Sokoli nuk ka dyshime, por Plaku gabon nga pika e bardhë dhe Hoxha e mban të paprekur rrjetën e portës së tij. Goli që do të vulosë takimin do të vijë në minutën e 67-të, pas një ekzekutimi të shkëlqyer nga larg të të një goditjeje të lirë nga ana e Bruno Telushit.
Kamza do të mundohet të reagojë, por Partizani i administron minutat e mbetura dhe ato shtesë dhe merr 3 pikë të vyera. Në takimin tjetër të së shtunës, Luftëtari do ta mbyllë në favor të tij pjesën e parë të përballjes së ndeshjes me Laçin në fushën e kësaj të fundit me një gol të shënuar nga Shkurtaj në minutën e 44-ët. Por Shtubina do të barazojë shifrat në minutën e 71-të, kur do t’i vidhet bukur mbrojtjes gjirokastrite dhe do të finalizojë me sukses. Kur mendohej se gjithçka po shkonte drejt barazimit, Gjoni godet bukur me kokë, 6 sekonda para fundit dhe shënon, duke kurorëzuar një përmbysje të pabesueshme të Laçit.