Gjergj Vyshka 31.10.2015 10:55
ASNN – Jave e 5-të e Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra, e cila ka nisur dje me takimin midis Kamza Basket dhe Flamurtarit, që u fitua nga vlonjatet, vijoi dje në mesditë, me takimet Tirana-Elbasani dhe Vllaznia-Goga Basket, ndërsa takimi Skënderbeu-Studenti është luajtur në mbrëmje, duke nisur nga ora 17:00.
Shkodranet e trajnerit Rashja kanë luajtur me dy fytyra, ndërsa kanë qenë më mirë në dy periodat e para e më pas ka vendosur përvoja e skuadrës së Astrit Grevës, që duket se edhe sivjet do të jetë rivale e Flamurtarit. Kështu, Vllaznia e ka humbur në ndeshjen e radhës në shtëpi përballë ekipit durrsak, Goga Basket e vlefshme për javën e 5-të të këtij sezoni.
Presioni ndaj kreut vjen edhe nga Tirana e trajnerit Borova që arriti fitoren e katërt. Vajzat bardheblu likuiduan Elbasanin me rezultatin 86-66 (18-23, 18-10, 32-13, 18-20). Ndërkaq, në takimin e fundit të luajtur dje, pas një nisje fantastike të kampionatit, Skënderbeu ka befasuar dje në Korçë, teksa është mundur nga Studenti. Të besuarat e Fiorentina Mitkut e kanë fituan takimin 57-72 për Studentin.
Të premten, Flamurtari, kampionia në fuqi e basketbollit të femrave, nuk është ndalur as në Bathore, atje ku ka mundur Kamza Basketin vendase. Pesë ndeshje, pesë fitore dhe vlonjatet vazhdojnë të kryesojnë me pikë të plota. Në fakt nuk ka qenë një fitore e lehtë për mikeshat, pasi ajo që i ka vënë vulën e fitores për Flamurtarin ka qenë pjesa e katërt, e cila është fituar 10-15 dhe në përfundim 54-62.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Kategoria e Parë
Java e 5-të
(30-31 tetor 2015)
Të premten:
Kamza Basket – Flamurtari 54-62
Të shtunën:
Tirana – Elbasani 86-66
Vllaznia – Goga Basket 56-75
Skënderbeu – Studenti 57-72
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Flamurtari 5 5 0 395-262 10
- Goga Basket 5 4 1 359-298 9
- Tirana 5 4 1 352-315 9
- Vllaznia 5 2 3 321-320 7
- Skënderbeu 5 2 3 337-350 7
- Studenti 5 2 3 287-355 7
- Kamza Basket 5 1 4 204-252 6
- Elbasani 5 0 5 228-321 5