AlbanianSport.com 23.02.2017 17:55
ASNN – Java e 23-të e Kategorisë Superiore kulmon me ndeshjen Kukësi-Partizani. Të dyja skuadrat kanë pretendimet e tyre drejt titullit “kampion”. Kukësi vjen në këtë sfidë si kryesuese e kampionatit, ndërsa Partizani me synimin për t’iu ngjitur kreut.
Dy drejtuesit e klubeve përkatëse, Genci Tomorri dhe Safet Gjici deklarojnë se shkojnë në këtë sfidë vetëm për 3 pikët. Kukësi-Partizani është sfida kryesore e javës së 23-të të Kategorisë Superiore.
Të dyja skuadrat vijnë me moral të lartë në këtë ndeshje. Të kuqtë e trajnerit Sulejman Starova pas fitores në derbi, ndërsa futbollistët e trajnerit Gjoka si kryesues të kampionatit, e madje pa humbur asnjë ndeshje.
Diferenca midis dy skuadrave, është 4 pikë, por duket se kjo nuk do ta pengojë lojën e bukur dhe spektaklin në fushë. Ndeshja Kukësi-Partizani luhet të dielën, duke nisur nga ora 14:00.