Marrë nga ABC News 06.10.2015 19:00
Kombëtarja shqiptare ka hyrë në ditën e dytë të grumbullimit dhe përgatitjeve për ndeshjen e rëndësishme kundër Serbisë në Eliminatoret e “Euro 2016”-s. Në seancën e parë të së martës, trajneri Xhovani De Biazi rriti ritmin e stërvitjes. Trajneri kishte në dispozicion të gjithë futbollistët e thirrur për sfidat e ardhshme. Ashtu siç kishte parashikuar në programin stërvitor, De Biazi, seanca e parë e së martës nisi në orën 10:30 të paradites. Si gjithmonë trajneri dhe stafi i tij përgatisin me detaje stërvitjen, që nisi me vrapimet e nxehjes.
Ritmi u rrit gradualisht me ushtrimet e ndërthuruara teknike dhe fizike. Më pas skuadra u nda në dy pjesë. Hysaj, Gashi, Shala, Kaçe dhe futbollistët e tjerë që luajtën ndeshjet me skuadrat e tyre të dielën në mbrëmje vijuan me përgatitësin atletik, stërvitjen të ndarë nga pjesa tjetër e ekipit. Me De Biazin që ndiqtë gjithçka i papërfshirë, pjesa tjetër e lojtarëve u vunë nën urdhërat e zëvendësve të tij Paolo Tramexani dhe Erjon Bogdani. Interesante ishte përgatitja për situatat e ndryshme që ofron një ndeshje futbolli.
Pra, ku sulmuesët duhet të shfrytëzojnë kundërsulmin, por edhe të shërbejnë në fazën mbrojtëse të skuadrës. I njëjti diskutim për mbrojtësit, që duhet të përballojnë situate të vështira përballë sulmeve të shpejtë të kundërshtarëve, por edhe të ndihmojnë ekipin në fazën ofensive. Kjo ishte pjesa e seancës stërvitore që De Biazi lejoi si rrallë herë kaq gjatë për kamerat. Minutat e fundit të përgatitjeve, trajneri preferoi t’i zhvillojë larg mediave, ndoshta për të mos zbuluar disa detaje taktike të rëndësishme për sfidën vendimtare kundër Serbisë më 8 tetor 2015.