AlbanianSport.com 05/12/2018 22:05
ASNN – Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj ishin zgjedhur nga Akademia Olimpike si sportistë të suksesshëm për vitin 2018 dhe si sportistë model që duhen ndjekur nga të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi. Përveç Agron Cukës, president i Akademisë Olimpike, këtë sesion e përshëndeti me praninë e tij kreu i Akademisë Olimpike Ndërkombëtare, Kostas Jorgiadhis, si dhe kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Viron Bezhani.
Duke folur për “RTSH Sport”, dy sportistët elitarë të atletikës shqiptare, vunë në pah sakrificat që duhet të kalojë një sportist i nivelit të lartë, lodhjen e përditshme, por edhe përgjegjësinë e përfaqësimit të flamurit dhe të kombit. “Sporti të ofron shumë vlera dhe këto vlera bëhen pjesë e jetës tënde, – shprehet Luiza Gega. – Është krenari kombëtare e personale që të jesh sportist elitar dhe të mbash mbi supe flamurin kombëtar dhe ngjyrat e një kombi.”
“Me rezultatet e tua, t’i bën krenar një komb dhe jo vetëm veten tënde dhe ky është një mesazh që të rinjtë duhet të përpiqen që të bëjnë të pamundurën për veten dhe vendin e tyre.” Ndërkohë, atleti i kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj, vuri në pah faktin se të arrish rezultate të larta, kërkon sforco shumë të madhe. “Unë dua të falënderoj KOKSH-in që më ka zgjedhur mua si model për sportistët e rinj, – theksoi Smajlaj për mikrofonin e RTSH-së.
“Por të rinjtë duhet ta dinë se sa punë duhet të arrish deri këtu dhe se sa lodhet një sportist elitar për të marrë këto rezultate”, – ka përfunduar ai.