AlbanianSport.com 12.01.2014 13:10
ASNN – Ivan Bogdanovi arrestohet nga policia serbe. Ai ishte protagonist në ushtrimin e dhunës nga tifozët serbë në drejtim të futbollistëve kuqezinj, gjatë ndeshjes së 14 tetorit 2014 Serbi-Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian. Kështu, kur kanë kaluar rreth 100 ditë nga ndeshja Serbi-Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e kampionatit Evropian të futbollit Francë 2016, policia serbe ka arrestuar Ivan Bogdanov.
I mbiquajtur “Ivani I tmerrshëm”, ai ishte protagonist kryesor gjatë incidenteve të dhunshme që ndodhën në fushë, pas ndërprerjes së ndeshjes. Bogdanovi, edhe pse ishte i dënuar më parë për të mos hyrë në stadiumet e futbollit, ai ishte i pranishëm në ndeshjen, Serbi-Shqipëri dhe hyri në fushë bashkë me grupin e tij, duke urdhëruar vërshimin e turmës së tifozëve drejt futbollistëve kuqezinj në fushën e blertë.
Edhe pse policët serbë kalonin pranë tij nuk bënë përpjekjen më të vogël për ta nxjerrë nga fusha. Sipas mediave serbe, Bogdanovi ishte vetëdorëzuar në polici, falë ndërmjetësisë që kishin bërë ultrasit e Cërvena Zvezda të Beogradit. Ai kishte deklaruar se kishte hyrë në fushë vetëm për të larguar minihelikopterin, i cili e kishte provokuar keq.
Pas incidenteve në ndeshjen Serbi-Shqipëri, Bogdanov u dënua me 1 vit heqje lirie. Sipas tij, ai kishte qëndruar i fshehur në veri të Mitrovicës, atje ku policia serbe kishte si alibi mungesën e fuqive ligjore. Në fakt Bogdanovi duhej arrestuar që përpara ose gjatë ndeshjes, pasi në stadium ishin rreth 5,000 forca policie dhe e dinin mjaft mirë që ai e kishte të ndaluar të hynte në mjediset sportive.