AlbanianSport.com 11.10.2014 17:05
ASNN – Java evropiane e futbollit, e cila ka nisur të enjten, vazhdon dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit takimin më të spikatur të së premtens, atë midis Italisë dhe Azerbajxhanit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Konte ka vuajtur, por ka arritur gjithsesi të fitojë me rezultatin 2-1, në një takim ku qendërmbrojtësi “axurr”, Xhorxhio Kielini, i ka bërë të gjitha.
Italia ka korrur fitoren e dytë radhazi në grupin H të Eliminatoreve të Evropianit 2016, pasi në ndeshjen e zhvilluar të premten në mbrëmje në Palermo, ka arritur të mundë Azerbajxhanin me rezultatin 2-1. Në fakt, në takimin e transmetuar drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit ka qenë qendërmbrojtësi i Juventusit, Xhorxhio Kielini, ai që i ka bërë të gjitha.
Ndërkohë që pjesa e parë po i drejtohej mbylljes me rrjeta të paprekura, Kielini ka përfituar nga një goditje këndi dhe e ka fituar duelin me portierin azer, duke e përcjellë topin në rrjetë. Me këtë epërsi njëgolëshe do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa në të dytat është sërish Kielini protagonist, por në krahun e gabuar, pasi qendërmbrojtësi e ka kthyer në rrjetën e tij një goditje këndi të azerëve, 14 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, duke barazuar shifrat në 1-1.
Megjithatë, ai e korrigjoi veten 6 minuta më pas, kur e ka përcjellë topin në rrjetë me një goditje me kokë brenda zonës. Italia ka fituar kështu me shifrat 2-1 dhe kryeson renditjen e grupit H me 6 pikë, po aq sa ka edhe Kroacia, e cila fitoi minimalisht në Bullgari përballë përfaqësueses vendase.