AlbanianSport.com 04/07/2021 19:15
ASNN – Italia dhe Spanja do të përballen me njëra-tjetrën në stadiumin “Uembli” të Londrës në gjysmëfinalen e parë të Kampionatit Evropian. Në lojë, një vend në finale kundër njërës mes Anglisë dhe Danimarkës. Ndeshja midis ekipeve përfaqësuese, të drejtuara përkatësisht nga Roberto Mançini dhe Luis Enrike, tanimë është një klasike, plot me precedentë dhe statistika. Spanja dhe Italia janë takuar gjithsej 37 herë, me një ekuilibër në barazi të përsosur: në 11 raste kanë fituar italianët, në 11 të tjera iberikët, ndërsa 15 ndeshjet kanë përfunduar në barazim. Diferenca në gola, por për pak, i buzëqesh Italisë, me 43 të shënuar e 40 të pësuar.
Përballja e fundit me ekipin përfaqësues spanjoll ngjall kujtime të këqija për italianët: ndeshja e fundit daton në 2 shtator 2017, për t’u kualifikuar për Botërorin në Rusi. Trajneri i atëhershëm i Italisë, Xhan Piero Ventura u mund 0-3 në “Bernabeu” në Madrid, pas një dygolëshi të Iskos dhe një goli të Moratës. Kjo humbje dënoi Italinë në vendin e dytë në fazën eliminatore dhe çoi në dështimin e bujshëm për të mos u kualifikuar më tej pas humbjes në “play-off” kundër Suedisë. Përplasja e fundit e drejtpërdrejtë në një Evropian daton në vitin 2016, me fitoren e jashtëzakonshme të ekipit përfaqësueses të trajnerit Antonio Konte.
Ajo përfundoi 2-0 me golat e Kielinit dhe Pelèsë, kështu që “Azurrët” zbarkuan në çerekfinale, pastaj humbën kundër Gjermanisë. Sidoqoftë, dy ndeshjet e mëparshme kanë përfunduar në favor të Spanjës: e para në “Euro 2008”, në çerekfinale, 4-2 me 11-metërsha, dhe e dyta në “Euro 2012” me një fitore 4-0 në finale kundër skuadrës së trajnerit çezare Prandeli. Kjo 2021 do të jetë takimi i 7-të në një Kampionat Evropian midis Italisë dhe Spanjës, me dy ekipet që garojnë për të 4-tin Evropian radhazi në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë. Italia është skuadra e vetme me 100% sukses në “Euro 2020”.
Ekipi i Mançinit mundi Turqinë, Zvicrën, Uellsin, Austrinë (në shtesa) dhe Belgjikën për të arritur këtë gjysmëfinale. Nga ana tjetër, Spanja barazoi dy ndeshjet e para në garë, kundër Suedisë dhe Polonisë. Pastaj fitorja kundër Sllovakisë e lejoi atë të kapërcente grupin si e dyta, pastaj mundi Kroacinë dhe Zvicrën për të arritur në gjysmëfinalen e “Uemblit”. Luis Enrike do të mbështetet te Morata për të mposhtur Italinë, ndërsa Mançini mund të mbështetet tek një Lorenco Insinje i jashtëzakonshëm.
Sulmuesi i Napolit ka marrë pjesë në mënyrë aktive në 13 gola në 15 paraqitjet e tij për Italinë në të gjitha garat (6 gola, 7 pasime për gol), përfshirë edhe golin vendimtar kundër Belgjikës.