AlbanianSport.com 18/01/2021 18:40
ASNN – Ish-ndihmësi i De Biazit në Kombëtaren kuqezi merr drejtimin e klubit të njohur kroat. Ai ishte një nga elementët më të rëndësishëm të stafit teknik, të drejtuar nga trajneri Xhovani De Biazi, që e udhëhoqi Shqipërinë drejt pjesëmarrjes për herë të parë në fazën finale të një veprimtarie madhore sportive, siç ishte Evropiani i 2016-ës në Francë.
Dhe tanimë, pasi ka patur disa përvoja përgjatë këtyre viteve të fundit, Paolo Tramexani është emëruar trajneri i ri i një klubi të njohur në Ballkan, siç është ai i Hajdukut të Splitit. Ish-ndihmësit të De Biazit në stolin e Shqipërisë gjatë viteve 2011-2016, i është besuar kështu drejtimi i klubit të dytë më të suksesshëm në Kroaci. 50-vjeçari ka firmosur kontratë deri në qershor të 2022-shit.
Lajmi u konfirmua nga klubi në faqen zyrtare, ndërsa mësohet se italiani ka nënshkruar një kontratë për një vit e gjysmë me klubin e famshëm kroat, por me mundësinë vijimit të bashkëpunimit edhe për një tjetër vit nëse rezultatet do të jenë pozitive. Pasi u largua nga stafi i Kombëtares kuqezi. Tramexani ka punuar më pasi si trajner i parë si skuadrës së Luganos dhe Sionit në Zvicër.
Por edhe i Apoelit të Nikozisë në Qipro, ku fitoi edhe titullin, si dhe në Serinë B të Italisë me Livornon. Tanimë ai do të provojë aventurën kroate në drejtimin e Hajdukut, me objektivin për të thyer dominimin e Dinamos së Zagrebit dhe për të rikthyer titullin në Split, trofe që mungon prej vitit 2005. Aktualisht, skuadra bregdetare dergjet në vendin e 5-të të renditjes, me 17 pikë të grumbulluara në 14 ndeshje, por plot 16 pikë pas Dinamos kryesuese.