AlbanianSport.com 26/01/2021 22:55
ASNN – Kuqezinjtë shënojnë të parët, por zikaltërit fitojnë 2-1 dhe janë në gjysmëfinale. Ka qenë një ndeshje e luftuar dhe dramatike derbi i Milanos, midis Interit dhe Milanit, që u luajt të martën në mbrëmje dhe ishte i vlefshëm për çerekfinalet e Kupës së Italisë. Ibrahimoviç do t’i kalojë kuqezinjtë në epërsi në minutën e 31-të.
Pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë vendimtare të Milanit, por në fundin e saj, Ibrahimoviç do të ndëshkohet me karton të verdhë, së bashku me Lukakun, pas një përplasjeje midis tyre, episod ky që do të rezultojë vendimtar më vonë. Sepse në minutën e 58-të, suedezi i Milanit do të ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, duke dalë nga loja me karton të kuq dhe duke i lënë kuqezinjtë me 10 lojtarë.
Interi do të përfitojë dhe, në minutën e 71-të, Lukaku do të shndërrojë në gol një 11-metërsh të akorduar nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR). Epërsia numerike në fushë, por edhe plot 10 minuta shtesë kanë patur koston e tyre në këtë ndeshje, pasi Interi do të gjejë edhe golin e dytë dhe të fitores në minutën e 97-të, me anë të Eriksenit, që vulos kështu vendin e zikaltërve në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.