AlbanianSport.com 19/10/2018 11:35
ASNN – Të dielën do të luhet derbi i Milanos midis Interit dhe Milanit, një prej takimeve që po merr vëmendje maksimale në duelet futbollistike në Evropë. Në kuadër të kësaj ndeshjeje, janë shitur të gjitha biletat dhe priten afro 80 mijë të pranishëm në stadiumin “San Siro”.
Interi sapo ka njoftuar se ka arkëtuar plot 5 milionë euro nga biletat, një shifër rekord, ndërsa të gjithë presin spektakël në fushë. Duhet thënë se arkëtimet nga biletat kanë qenë më të mira për Interin sesa për Milanin. Mesatarja e spektatorëve të pranishëm në stadium për çdo ndeshje të Interit është 59 mijë, kurse për Milanin 45 mijë.
Por për kuqezinjtë ka ndikuar në këtë rënie ndeshja në Ligën e Evropës kundër Olimpiakosit, ku nuk u mblodhën në impiant as 20 mijë vetë. Sidoqoftë, derbi i “Madoninës” është gati dhe të dy kampet po përgatiten ethshëm për këtë duel sa emocional, aq dhe të rëndësishëm për ecurinë e të dyja skuadrave.
Më në fund, futbolli italian po ringjallet dhe është gati të kthehet në majën e Evropës. Ky derbi, me fitimet e tij të pazakonta, është gati të shkruajë historinë.