AlbanianSport.com 19.04.2015 15:25
ASNN – Puna për rindërtimin e Stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës, i cili pritet të jetë gati për ndeshjen e tetorit që Kombëtarja kuqezi do të luajë me Serbinë, do të nisë javën e ardhshme. Stadiumi i rindërtuar do të presë rreth 17 mijë tifozë dhe tribunat e tjera ekzistuese do të rinovohen, ndërsa do të shtohen edhe pesë më të vogla pas porte. Në të do të ketë edhe pistë atletike dhe kostoja totale përllogaritet në rreth 10 milionë euro.
Javën e ardhshme pritet të nisë puna për rindërtimin e Stadiumit “Loro Boriçi të Shkodrës, i cili pritet të jetë gati për ndeshjen e tetorit që Kombëtarja kuqezi do të luajë me Serbinë. Për këtë qëllim, një grup pune i përbërë nga përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, nga studioja projektuese që ka fituar të drejtën dhe nga kompania që do të kryejë punimet, ka inspektuar ditët e fundit gjendjen aktuale të stadiumit.
Sipas shefit të klubit të futbollit “Vllaznia”, Armir Grima, punimet pritet të nisin shumë shpejt. Grima thekson se ky stadium i rindërtuar është një dhuratë për qytetin. Stadiumi i rindërtuar do të ketë një tribunë të mbuluar që do të jetë ajo qendrore ku do të ndodhen të gjithë shërbimet. Kjo tribunë do të ndërtohet e re. Kushtet që do të ofrojë do të jenë më të mira se “Elbasan Arena” dhe kapaciteti më i lartë.
Stadiumi i rindërtuar i Shkodrës do të presë rreth 17 mijë tifozë. Tribunat e tjera ekzistuese do të rinovohen, ndërsa do të shtohen edhe pesë më të vogla pas porte. Në të do të ketë edhe pistë atletike dhe kostoja totale përllogaritet në rreth 10 milionë euro. Pak ditë më parë Këshillimi i Rregullimit të Territorit mori vendimin për të lejuar zbatimin e projektit.