AlbanianSport.com 17/01/2019 18:25
ASNN – Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, është në Marrakesh ku do të takohet me kryetarët e federatave afrikane të futbollit, të cilët do të japin mbështetjen e tyre për kandidaturën e përbashkët iberike-marokene për Botërorin 2030. Maroku, Portugalia dhe Spanja, kanë shpallur kandidaturën e tyre në 19 nëntorin e kaluar.
Dhe Infantino ka treguar se statutet e FIFA-s nuk e pengojnë zhvillimin e Botërorit në 3 vende të ndryshme, pasi misioni i futbollit është për të bashkuar popujt dhe kulturat. Me të njëjtën frymë, kreu i organizmit më të lartë ndërkombëtar të futbollit shpreson të marrë mbështetjen nga federatat afrikane për të miratuar propozimin që Botërorit, të zhvillohet me 48 ekipe që në vitin 2022, në Katar.
FIFA deri më tani ka miratuar Kupën e Botës me 16 grupe me nga 3 ekipe për 2026, e cila do të luhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikës dhe Kanadasë, por FIFA ka nisur tashmë bisedimet për ta bërë këtë gjë edhe 4 vite më parë. Këtë javë Infantino ka nisur bisedimet për të bindur shtetet afrikane dhe javën tjetër do të udhëtojë në Romë, po për të njëjtën arsye.
Vendimi përfundimtar do të merret në mes të muajit mars në Majemi, në Këshillin e Përgjithshëm të FIFA-s.