AlbanianSport.com 09/06/2018 12:05
ASNN – Presidenti i Federatës së Kosovës, u nda nga jeta në moshën 57-vjeçare pas një sulmi në zemër. Lajmi i kobshëm për vdekjen e legjendës kosovare është publikuar edhe në faqen zyrtare të organit më të lartë të futbollit kosovar, FFK-së, e cila ka bërë të ditur se për ceremoninë e varrimit të të ndjerit opinioni do të njoftohet me kohë, teksa ka publikuar edhe biografinë e njeriut që shihet si më promotori kryesor për pranimin e Kosovës në UEFA e FIFA.
“Me pikëllim dhe dhimbje të thellë e njoftojmë opinionin se sot presidenti i FFK-së, z. Fadil Vokrri, ka ndërruar jetë, – shkruhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës. – Për ceremoninë e varrimit të të ndjerit opinioni do të njoftohet me kohë. Ky lajm ka tronditur mbarë opinionin dhe ka prekur jashtëzakonisht shumë komunitetin e futbollit.”
Biografia e presidentit Fadil Vokrri
Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë. Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës luajti 88 ndeshje dhe realizoi 22 gola. Periudha e viteve 1980-të ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin e Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në këtë përfaqësuese, e ku regjistroi 12 aktivizime dhe shënoi 6 gola.
Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi emërtimin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte mbajtës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, kurse në vitin 1987 është shpallur “Lojtari Më i Mirë” në Jugosllavi. Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra e Nimës dhe, më pas, u transferua në klubin turk, Fenerbahçe, ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen.
Por edhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Burzh dhe Montluson, para se t’i jepte fund karrierës. Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas, në shkurt të vitit 2008, mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA. Më 15 janar, 2016, Vokrrit iu besua mandati i 3-të katërvjeçar si president i FFK-së, ndërsa e përmbushi misionin e anëtarësimit të Kosovës në dy organizmat ndërkombëtarë.
Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Administrimit dhe Biznesit, kurse përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhët frënge, turke dhe serbo-kroate. I ndjeri la pas vetës bashkëshorten Editën dhe tre fëmijët, djemtë Gramozin dhe Albertin, si dhe vajzën, Albanën.