AlbanianSport.com 11/08/2021 22:05
ASNN – Ish-futbollisti i Tiranës ndahet nga jeta në moshën 91-vjeçare. Ka ardhur të mërkurën lajmi i ndarjes nga jeta në moshën 91-vjeçare e Remzi Bulkut, ish-mbrojtësit të Tiranës në vitet ’50. Ka qenë klubi i futbollit “Tirana” që ka njoftuar se është ndarë nga jeta ish-futbollisti i bardhebluve. Bulku lindi në 1930 dhe ishte pjesë e bardhebluve në një periudhë jo të lehtë për klubin, duke dhënë kontributin e tij jo vetëm në fushën e lojës.
Bashkëkohës i Selman Stërmasit apo Foto Jankos, Bulku u nda nga jeta në moshën 91 vjeçare. “Xikja”, siç e thërrisnin miqtë dhe të njohurit, ishte ikona e fundit e një brezi futbollistësh në skuadrës kryeqytetase, të cilët do të hidhnin themelet e Tiranës së madhe, kampione të pas viteve ’60. Edhe pasi Xhikja e la futbollin e luajtur, nuk u shkëput prej tij dhe klubit të Tiranës. Krahas punës si mësues i edukimit fizik, ai ka punuar për vite të tërë edhe si trajner me ekipet e moshave të klubit kryeqytetas.
Klubi i futbollit Tirana ka shprehur ngushëllimet për familjarët, ashtu sikundër ka bërë në një postim në rrjetet sociale edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.