AlbanianSport.com 06.12.2015 19:50
ASNN – Në moshën 54 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta, kampioni i madh i shtangës, Mirjan Hakani. Ai ka qenë rekordmen dhe “kampion” i peshëngritjes me Tiranës dhe ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”. Si drejtues në sport ka dhënë kontributin e tij në ndërtimin e shumë objekteve të rëndësishme sportive.
Kështu, të shtunën në mbrëmje vonë është ndarë nga jeta, në moshën 54-vjeçare, Mirjan Hakani. Kampioni i madh i sportit shqiptar vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai ka patur një karrierë të pasur sportive. Ka qenë “kampion” dhe rekordmen për 17 vite me ekipin e Tiranës duke vendosur 164 rekorde kombëtare.
Ai ka marrë edhe 8 medalje ari në aktivitete ndërkombëtare. Është dekoruar nga presidenti Alfred Moisiu me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”. Homazhet në nder të Mirjan Hakanit u kryen në Parkun Olimpik të Tiranës. Hektor Shaqiri, trajneri i Hakanit e kujton me vlerësim sportistin e tij.
Një ditë zie dhe humbje e madhe për sportin shqiptar e kanë quajtur ministrja e arsimit dhe sportit Lindita Nikolla dhe Agron Duka. Rreth orës 13:00, Mirjan Hakani është përcjellë nga dhjetëra miq, shokë e të afërm për në banesën e fundit.