AlbanianSport.com 21/07/2022 21:55
ASNN – Ish-futbollisti i njohur i Hamburgut dhe Ish-Gjermanisë Perëndimore është ndarë nga jeta. Futbolli gjerman dhe ai evropian është në zi, sepse Uve Zeler është shuar në moshën 85-vjeçare. Ka qenë e përditshmja më e madhe gjermane, “Bild”, ajo që ka raportuar të enjten pasdite se legjenda e futbollit gjerman është ndarë nga jeta.
Kapiteni i nderit i përfaqësueses gjermane dhe legjenda e klubit të Hamburgut vuante prej disa vitesh nga probleme të ndryshme shëndetësore. Uve Zeler e veshi fanellën e Hamburgut për plot 26 vjet, që nga viti 1946, deri në 1972-shin, duke u rezistuar dhe duke refuzuar të gjitha ofertat e majme financiare nga klube të ndryshme me emër të Evropës në atë periudhë.
Për këtë arsye, në vitin 2003, qyteti i Hamburgut, ku ai njihej si “Uveja ynë”, e shpalli ish-futbollistin qytetar nderi. Ai e ndihmoi Hamburgun të fitonte kampionatin gjerman më 1960-ën, 3 vite para themelimit të Bundesligës gjermane në formatin aktual, si dhe trofeun e Kupës së Gjermanisë në 1963-shin. Ndërkaq, që nga viti 1954, deri në 1970-ën, Uve Zeler luajti 72 ndeshjen ndërkombëtare dhe shënoi 43 gola me fanellën e përfaqësueses së Ish-Gjermanisë Perëndimore.
Sulmuesi mori pjesë në 4 Kampionate Botërorë të Futbollit, por pa u shpallur asnjëherë “kampion bote”, duke u detyruar të ngushëllohet me titullit simbolik të “nënkampionit të botës” në finalen kontradiktore të 1966-ës. Uve Zeler është zgjedhur 3 herë si “Futbollisti i Vitit” në Gjermani, më 1960-ën, 1964-ën dhe 1970-ën. Që nga viti 1995, deri në 1998-ën, ai e ka udhëhequr klubin e Hamburgut si president.