Gjergj Vyshka 14.10.2016 13:25
Basketbolli shqiptar pak ditë më parë ka humbur një nga figurat e saj si Dhimitër Papa, i cili është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare. Ai ka lindur më 6 tetor 1931 dhe karrierën e tij e ka nisur në Durrës, ndërsa për 20 vite radhazi ka qenë pjesë e skuadrës së Lokomotivës, Dinamos, Partizanit, 17 Nëntorit (sot Tirana). Si lojtar titullar është shpallur 7 herë “kampion kombëtar”.
Me Partizanin në vitet 1953 dhe 1954, më pas me 17 Nëntorin 5 herë (1957, 1961, 1962, 1963, 1964). Me një gjatësi trupore 1.82 metra ai ka qenë në pozicionin e organizatorit, ndërsa është dalluar për përdorimin e mirë të topit, si dhe në mënyrën e furnizimit për lojtarët e qendrës. Mbi të gjitha ka qenë i saktë në gjuajtjet nga distancat e largëta.
Përvojën e tij e ka shpërndarë dhe tek djemtë, të cilët kanë luajtur me Partizanin, ndërsa njëri prej tyre, Pirro është 5 herë kampion me këtë skuadër. Redaksia e gazetës “Sport Ekspres” i shpreh ngushëllimet e saj familjes Papa, por të njëjtën gjë ka bërë dhe Federata Shqiptare e Basketbollit, si dhe bashkëkohësit e tij Qemal Shalsi, Astrit Greva, Muhamet Përmeti, Njazi Lleshi, Suzana Biçaku, Pirro Koleka, Ilir Trebicka, Vaso Shaka, Bujar Shehu, Kostandin Shkurti, Roland Avrami dhe Salvador Sotiri.
Këtyre ngushëllimeve u bashkohet edhe AlbanianSport.com