Emil Këlliçi* 16.03.2017 07:55
ASNN – Prej më shumë se një muaj u zhvillua Kupa “Çlirim Hysi” në kujtim të tremujorit të vdekjes së tij. Çlirim Hysi ka luajtur futboll me ekipet e “17 Nëntorit” dhe të Dinamos duke qenë një lojtar me elegancë në manovrimin me topin, i fuqishëm dhe një organizator i saktë. Bie në sy loja e tij korrekte ku për 13 vjet në veprimtarinë e tij futbollistike si pjesë e 17 Nëntorit dhe Dinamos nuk mori asnjë karton të verdhë.
Ndaj del në pah aspekti i korrektësisë në lojën me kundërshtarin. Më pas, pas lënies së futbollit të luajtur, gjatë gjithë jetës së tij ka drejtuar si shef klubi emrat ndër më të rëndësishmit në vend të tillë si Dinamo e 17 Nëntori. Më parë më 1963-in do të ishte dhe pjesë e “17 Nëntorit:, ndërsa me bardheblutë kryeqytetas do të fitonte dhe Kupën e Shqipërisë.
Karrierën e tij e ka nisur më 1964 dhe deri më 1974 ka qenë pjesë e Dinamos përkrah Frederik Gjinali, Medin Zhega, Mehdi Bushati, Faruk Sejdini, Gani Xhafa, Iljaz Çeço, Ilir Pernaska, Jani Rama, Mehmet Xhafa, Torez Çiraku, Ahmet Ahmedani, Kujtim Çoçoli, Haxhi Mergjyshi, Saimir Dauti, Namik Jareci etj. Me Dinamon do të ishte dhe “kampion” dhe fitues i Kupës së Republikës.
Pa harruar këtu edhe Medaljet e Arta në Spartakiada kombëtare. Deri në fund të jetës së tij nuk iu nda terreneve sportive duke dhënë ndihmesën e tij trajnerëve të ardhshëm të futbollit shqiptar.
* Specialist futbolli