AlbanianSport.com 07/01/2019 23:05
ASNN – Lionel Mesi ka realizuar 16 gola në 16 ndeshje duke qenë për momentin golashënuesi më i mirë në ligat kryesore evropiane. Nga ana tjetër, argjentinasi i Barcelonës ka realizuar 10 pasime ideale, ose siç njihen ndryshe pasimet për gol. Të bëra së bashku, japin 26 gola që janë gatuar pikërisht nga këmbët e të ashtuquajturit “Pleshti”.
Mediat spanjolle kanë marrë statistikat e Lionel Mesit dhe i kanë krahasuar me ato të Realit të Madridit dhe rezulton se “xhuxhi” argjentinas është më efikas se sa i gjithë skuadra kryeqytetase e marrë së bashku. Më herët Reali ka qenë një makineri golash, por kjo ndodhte sepse në gjirin e grupit ishte portugezi Kristiano Ronaldo. Portugezi tani është tek Juventusi, ku ka shënuar 14 gola në 20 ndeshje.
Kurse lojtarët aktualë të Realit ngjajnë me kristale të thyeshme, siç ndodh me Gareth Bejlin, që dëmtohet në çdo 3 ndeshje të luajtura. I gjithë Reali i Madridit i marrë së bashku shënon 24 gola, dy më pak se golat dhe pasimet për gol të Mesit tek Barcelona. E thënë ndryshe, me këtë gjendje, gjigandja madrilene nuk ka asnjë shans të fitojë titullin në Spanjë.
Kjp, pasi e gjithë skuadra në sulm është më dobët se një lojtar i vetëm i Barcelonës, sikurse është Mesi. Shifrat janë ato që flasin më mirë dhe Mesi e mposht Realin i vetëm me shifrat 26-24 deri tani. Pa Kristiano Ronaldon në radhët e tyre, “Los Blancos” duken të shkërmoqur dhe pa asnjë shans të bëjnë përpara dhe të korrin sukses. Megjithë, ka ende kohë për t’u përmirësuar, si në Spanjë, ashtu edhe në Evropë.