AlbanianSport.com 26/03/2019 09:45
ASNN – Shqipëria mposhti të hënën në mbrëmje Andorrën me rezultatin 3-0, duke lënë pas shijen e hidhur të disfatës 0-2 me Turqinë në Shkodër, duke marrë 3 pikët e para në këto Eliminatore të “Euro 2020”-ës. Ishte një ndeshje sa e lehtë aq dhe e vështirë për kuqezinjtë, pasi Andorra është skuadër që di vetëm të mbrohet dhe është e vështirë t’i bësh gol, kurse sulmi më në fund u çlirua, sepse Sadiku dhe Balaj shënuan nga një secili, ndërsa fitoren e kompletoi Abrashi në sekondat e fundit.
U desh të largohej Kristian Panuçi që të vinte fitorja e kuqezinjve dhe më në fund erdhi, edhe pse ndaj një kundërshtari tejet modest dhe praktikisht skuadra më e dobët e grupit. Për herë të parë në karrierën e tij, Ervin Bulku drejtoi një skuadër si trajner i parë, nën ndihmën e trajnerit me përvojë Sulejman Mema. Funksionoi, por mbetet fakti që u luajt përballë Andorrës, e cila nuk provon asgjë, sepse kundërshtarët e vërtetë vijnë më pas. Por kjo fitore ka vlerë të padiskutueshme për moralin e grupit.
Erdhi në kohën e duhur dhe vlen për duelet e ardhshme në aspektin psikologjik. Sa i takon ndeshjes, ajo nisi dhe përfundoi me dominimin e Shqipërisë. Skuadra shqiptare pati mjaft probleme edhe në këtë ndeshje, sidomos në hapësirat që lë mbrojtja dhe gafat e herëpashershme individuale që duken si “sëmundje kronike”. Edhe pse u përpoqën, kuqezinjtë do ta gjenin golin e parë nga një gabim i portierit të Andorrës, i cili në përpjekje për të larguar topin del huq.
Dhe sfera përfundon tek këmbët e Sadikut të cilit i vjen fati në derë. Thjesht e godet dhe 1-0. Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat, kurse në pjesën e dytë Andorra tenton të bëjë surprizën, duke krijuar dy-tri raste shënimi. Madje arrin të balancojë edhe lojën në mesfushë, gjë që shtyu trajnerin Bulku të bëjë ndryshime. Xhaka, Grezda dhe Basha ia lënë vendin Abrashit, Balajt dhe Memushajt. Zëvendësimet japin efekt dhe skuadra në minutat e fundit ia doli të shënojë sërish.
Fillimisht me shkodranin Balaj, i cili përfiton nga një gabim i mbrojtjes së Andorrës dhe pasi hyri brenda zonës, në një pozicion paksa të prirët në krahun e djathtë, por me fushëpamje të mirë, gjuan fuqishëm dhe sado që sfera devijohet nga një mbrojtës dhe portieri, përfundon në rrjetë. Ky ishte një gol me vlera për ndeshjen, pasi e siguroi fitoren. Kurse kulmi arrin në minutën e 4-t shtesë (nga 5 gjithsej), ku Memushaj ekzekuton bukur një goditje dënimi.
Topi devijohet nga portieri e përplaset në traversë, më pas kthehet në zonë aty ku gjendet Abrashi, i cili me kokë e dërgon në rrjetë. 3-0 dhe mbyllet përfundimisht ky duel, që i jep skuadrës kuqezi 3 pikët e para në këto Eliminatore, duke shpresuar të bëhet më e mira në duelet e ardhshme. Sa u takon ndeshjeve të tjera në grupin H, Turqia mundi Moldavinë 4-0, ndërsa Franca mposhti po me shifrat 4-0 Islandën.
Pas ndeshjeve të sotme Franca dhe Tuqia mbajnë kreun e grupit me pikë të plota, kurse Shqipëria ngjitet në vend të 3-të me 3 pikë, duke lënë pas Islandën e cila ka gjithashtu 3 pikë dhe që në qershor është kundërshtari i radhës i kuqezinjve.
Grupi H
E hënë, 25 mars 2019:
Turqi – Moldavi 4-0
Francë – Islandë 4-0
Andorrë – Shqipëri 0-3
Renditja
Nr. Skuadra F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Franca 2 0 0 8-1 6
- Turqia 2 0 0 6-0 6
- Shqipëria 1 0 1 3-2 3
- Islanda 1 0 1 2-4 3
- Andorra 0 0 2 0-5 0
- Moldavia 0 0 2 1-8 0