AlbanianSport.com 27/04/2020 23:55
ASNN – Të dielën, Kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konte, dha një lajm të mirë për rinisjen e futbollit, teksa deklaroi se skuadrat do të rinisin stërvitjen në 4 maj dhe më 18 maj, seancat do të jenë të plota. Lajm i mirë për të gjithë tifozët e futbollit, por është Ministri Italian i Sporteve ai që ka menduar të ulë entuziazmin e tyre. “Liga italiane e futbollit po na bën presion, por nuk kemi garantuar ende një datë për rifillimin e futbollit”, – ka deklaruar Vinçenco Spadafora.
“Nuk jemi ende në gjendje për të marrë një vendim të tillë, – ka vijuar ai. – Anëtarët e komitetit tekniko-shkencor e konsiderojnë të pamjaftueshëm protokollin mjekësor të skuadrave të Serisë A.” Por këto deklarata nuk janë pritur mirë në kampin e Lacios dhe është Igli Tare që e ka “sulmuar” Spadaforën. Drejtori sportiv i bardhekaltërve ka folur “pa doreza” për radion zyrtare të klubit. “Po qëndrojmë pushim prej dy muajsh”, – ka thënë ai.
“Nuk e di se çfarë ka në mendje Ministri, nuk e di cili është qëllimi i tij, por, përfundimisht, ai nuk e ka në mendje të ndihmojë futbollin, – ka akuzuar Tare. – Ai është kundër fillimit të kampionatit.” Drejtori shqiptar i Lacios, ka shkuar edhe më tej, duke thënë se futbollistët po diskriminohen sërish, ndërsa ka pyetur pse Juventusi dhe Interi nuk kanë marrë anë. Lacio është vetëm një pikë prapa Juventusit në krye të Serisë A, por Tare thotë se po bën fushatë që sezoni të rifillojë për hir të sistemit italian të futbollit.
“Në jemi të gjithë të befasuar, ne kemi respektuar çdo vendim të Qeverisë së Italisë, – ka thënë ai për Radion “Lacio Style”. – Por 4 maji duhet të ishte pika e fillimit”. Ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi se Qeveria italiane nuk është korrekte ndaj futbollit. “Ne po ndihemi të diskriminuar sërish, – tha Tare. – Kam dëgjuar fjalët e Ministrit të Sportit, i cili ka thënë se dëshiron të mendojë për të mbrojtur shëndetin e njerëzve. Por ai më pas lejon njerëzit që të vrapojnë në parqe në mes të njerëzve tjerë në vend se të na ofrojë mundësinë që të ushtrojmë në komplekset sportive, me të gjitha masat e sigurisë.”
“Veprimtaritë janë ndaluar për dy muaj, që është shumë kohë e gjatë për të inkurajuar njerëzit për vazhdim të sezonit, – ka theksuar ish-sulmuesi. – Unë nuk e di cili është qëllimi i tij, por sigurisht nuk është për të ndihmuar futbollin. Vendimet e tij janë drastike, për të na ndalur që të luajmë sërish.” Igli Tare, i cili vlerësohet lart në Itali për punën që kryen, ka thënë në vijim se njerëzit e futbollit janë të vetëdijshëm për situatën dhe se duhet të jenë më të vëmendshëm për sakrificën e bërë nga shumë njerëz.
Por sipas Tares qëndrimi i ministrit nuk është gjë e mirë. “Futbolli është faktor shumë i rëndësishëm social për vendin, – ka thënë ai. – Ne nuk duam të hapim stadiumet. Ne vetëm duam të përfundojmë edicionin, duke respektuar rregullat. Ne kemi rastin të fitojmë titullin në fushë, por janë edhe 12 javë dhe të flasim për titull është gjë e guximshme. Ne duam të përfundojmë kampionatin për të mirën e sistemit italian të futbollit.”
“Në Gjermani, presidenti i Federatës dhe klubet më të mëdha kanë shprehur qartë qëndrimin për të vazhduar. Kjo nuk ka ndodhur në Itali dhe nuk mund të shpjegoj pse ekipe si Juventusi e Interi nuk kanë marrë anë”, – ka përfunduar Drejtori sportiv i bardhekaltërve të Lacios, Igli Tare.