AlbanianSport.com 09.09.2016 23:30
ASNN – “Është bërë keq për lekë!”. Kjo është batuta që përdoret shpesh kur “dikush” nuk ka mundësi të paguajë. Në Bashkinë e Matit çdo ditë flitet për mungesë fondesh. Dje futbollistët u ankuan se nuk kanë marrë ende pagat. Dhe ky është një shqetësim serioz kur dihet se faza përgatitore ka nisur prej kohësh.
Së dyti, Federata Shqiptare e Futbollit deklaroi se sezoni i ri i Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit nuk fillon pa u likuiduar detyrimet e klubeve. Bashkia Mat i detyrohet FSHF-së 2.3 milion lekë të rinj. Të mbartura janë 1.3 milion dhe pagesa e sezonit të fundit është 1 milionë.
Që Bashkia Mat nuk ka para për sportin duket dhe në faktin se FSHF i dhuroi asaj 3 mijë stola nga ato të Ish-Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet, por kjo njësi vendore nuk ka buxhet për t’i montuar. “Duhet një investim paraprak për vendosjen e stolave të dhuruar”, – bënë me dije zyrtarë të Bashkisë Mat.
“Këtë vit nuk kemi mundësi financiare për t’i montuar ato”, – shtuan ato. Pra, Bashkia nuk ka buxhet për ndërhyrje në infrastrukturën sportive në qytetin e Burrelit. Sipas drejtuesve lokal mund të ndërhyhet në dhomat e zhveshjes, dushet, lyerjen e mjediseve të brendshme, rrjetin elektrik dhe hidraulik.