AlbanianSport.com 14.01.2015 17:35
Dokumentari i gazetarit sportiv Fatmir Mëneri përjetëson një nga figurat më të mëdha të dinastisë Mema, ndërkohë që shoqata Tirana e ka nderuar me titullin “Fisnikëria e Tiranës”. “I bukuri Ali Mema…!”. Ky është dokumentari i gazetarit sportiv Fatmir Mëneri, me regji të Ylli Pepos dhe kamera të Xhemal Reçit, që është bërë për një nga figurat më të mëdha të dinastisë Mema për gjithçka që ka dhënë për fanellën bardheblu.
E kjo jo vetëm si lojtar polivalent, mbrojtës, mesfushor, sulmues, por dhe portier, por dhe si ndihmëstrajner, trajner dhe punonjës i klubit bardheblu. Për gjithçka që ka dhënë për Tiranën, Ali Mema, jo vetëm për shkak të dokumentarit, në sallën multifunksionale “Ten”, pranë ish-kinema “Dajtit” në kryeqytet, ka mbledhur shumë nga dashamirës dhe bashkohësit e tij.
Figura të ndritura si Shyqyri Rreli, Niko Xhaçka, Ismet Bellova, Indrid Fortuzi, Florian Riza, Krenar Alimehmeti, Agustin Kola kanë qenë të gjithë bashkë për Ali Memën. Por jo vetëm kaq në promovimin e dokumentarit të Fatmir Mënerit kanë qenë të pranishëm dhe zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Lutfi Nuri, presidenti i Tiranës, Refik Halili, kryetari i shoqatës Tirana, Arben Tafaj, drejtori i sportit dhe i rinisë në Bashkinë e Tiranës, Artan Pogoni, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani dhe sekretari i përgjithshëm Stavri Bello.
Pa harruar dhe figura si Sulejman Demollari, Gani Xhafa, Ilir Daja, Astrit Maçi. Në fjalën e tij përshëndetëse Mëneri e ka ndjerë si detyrim për shkak të origjinës tiranase sjelljen e këtij dokumentari për Ali Memën. Madje e ka quajtur dhe si një homazh për të atin, Xhavit Demneri, si një nga zbuluesit e talentit të Memës, që përveç Tiranës ka luajtur dhe me Vllazninë.
Dhe shoqata Tirana e ka nderuar Ali Memën me titullin “Fisnikëria tiranase”. Më pas dokumentari, që ka qenë gati 30 minuta, nëpërmjet rrëfimeve të Fatmir Frashërit, Niko Xhaçkës, Perikli Dhalesit, Lutfi Bytyçit, Bujar Tafaj, të kavajasve Gërmani e Karriqi, shkodranëve Dani, Rakiqi, Juka, Rragami, elbasanasve Rudi e Shkalla, lushnjarit Xhoxhaj, të portierit të Partizanit e kombëtares Mikel Janku dhe dinamovitit Iljaz Çeço ka sjellë gjithçka për karrierën e Ali Memës.
Madje kanë ardhur dhe kujtimet e sportdashësve, tifozë të kahershëm të Tiranës. Dhe mbyllja e dokumentarit me këngën e Tiranës të Rik Bunecit duket se ka sjellë dhe titullin e tij: “I bukuri Ali Mema…!”.