AlbanianSport.com 16/11/2018 23:55
ASNN – Në Roterdam të Holandës, përfaqësuesja e “Tulipanëve”, mundi me rezultatin 2-0 “kampionen e botës”, Francën, duke i marrë një trepikësh me mjaft vlerë për renditjen përfundimtare, pasi holandezët kanë dhe një ndeshje për të luajtur, atë me Gjermaninë dhe mjafton qoftë një barazim me vlerë një pikë që të sigurojnë vendin e parë. Në këtë ndeshje golin e parë e shënoi në minutën e 44-t Vijnaldum.
Ndërsa në pjesën e dytë, në minutën e 96-të realizoi Depaj me 11-metërsh. Ishte një ndeshje e nivelit të lartë, mjaft e bukur, emocionuese, por në fund buzëqeshin holandezët. Edhe pse momentalisht Franca ka 7 pikë, holandezët e kanë vetë në dorë të sigurojnë kryesimin nëse barazojnë ndeshjen e fundit me gjermanët. Sa i takon Gjermanisë që është pjesë e këtij grupi, edhe pse nuk luajti sonte, ajo ra edhe matematikisht nga Liga A, në Ligën B.
Rezultati i ndeshjes së sotme mes Holandës e Francës i shkëput dy ekipet në fjalë dhe Gjermania e Joakim Lëvit me vetëm një pikë nuk ka shanse matematikore për të shpresuar më shumë. Pra, pas dështimit në Botërorin e Rusisë, për gjermanët vjen një tjetër dështim, ky i Ligës së Kombeve, ku edhe një herë tjetër, ata treguan se janë në krizë dhe edicionin tjetër të kësaj veprimtarie do të luajnë me ekipe të një niveli më të dobët.