AlbanianSport.com 10.01.2015 23:15
ASNN – Pas sukseseve të babait të tij, Tahir (Tie) Domi në sportin më popullor vendës siç është hokeji në akull, tashmë është Domi i ri, shqiptari me pasaportë kanadeze Maks Domi. ai që po bën histori. Maks Domi u shpall kampion i botës për të rinj me përfaqësuesen kanadeze duke mundur në finale Rusinë me rezultatin 5-4.
Përpara 19 mijë tifozëve vendës në “Air Canada Centre”, përveç medaljes së artë, 19- vjeçari fitoi edhe çmimin si sulmuesi më i mirë i Kampionatit Botëror. Finalet e botërorit shqiptari i mbylli me 5 gola të realizuar dhe 10 pikë. Në “10″-shen e pikëshënuesve më të mirë, 6 ishin përfaqësues të Kanadasë, mes tyre edhe i riu Domi.
Në kampionatin kanadez, Domi aktivizohet me skuadrën e “London Najts” në Ligën e Hokejit të Ontarios (OHL). Në arenën ndërkombëtare, në harkun e vetëm 3 viteve, kjo është medalja e tretë pas të bronztës të fituar me Kombëtaren kanadeze në Botërorin e e Nën-17-vjeçarëve në 2012-tën.
Ai ka fituar edhe të artën po në 2012-tën në Memorialin “The Ivan Hlinka”, ekuivalent si turne me Kupën e Botës për kategorinë e Nën-18-vjeçarëve. Karriera e tij me sportin e hokejit ka nisur në vitin 2005.