*Aleksandër Bojaxhi 14.09.2016 20:55
Në muajin mars të këtij viti në mbledhjen e shumëpritur, ngaqë ishte e shumë e vonuar të Kryesisë së Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor propozova që në muajin korrik të organizonim një përkujtimore të 60-vjetorit të asaj që sot e quaj Shkolla e Parë e Alpinizmit Shqiptar. Propozimi jo vetëm që u miratua, por pjesëmarrësit vendosën që të ftonim, për t’i nderuar, edhe një a dy alpinistë veteranë (në vartësi që fondeve të Federatës) nga çdo ish klub i alpinizmit. Madje u vendos që të rinovohej edhe pllakati përkujtimor që ka sporti i alpinizmit në këtë fshat. Porse muajt kaluan dhe asgjë nga sa ma sipër nuk u realizua!
Më 23 korrik 2016 u ndodha në Theth në veprimtarinë e radhës të Shoqatës së Bjeshkëtarëve dhe Alpinistëve Tirana dhe pasditen e po kësaj dite shkova tek shkolla (e braktisur) e fshatit, ku në një dhomë të anës jugore të saj qëndronte e hapur qendra mjekësore (Ambulanca Theth). Në anën e majtë të derës së kësaj qendre është pllakati përkujtimor i asaj dite historike për sportin e alpinizmit shqiptar. Pllakati i mermertë është tashmë i shkoqur në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Dhe ky pllakat është i vetmi që përkujton alpinizmin shqiptar. A nuk është për t’u habitur që një federatë nuk mirëmban një pllakat të vetëm që ka në këtë shtet!?
A nuk është për t’u habitur që nuk nderojmë, duke mirëmbajtur simbolet historike, atë që kanë bërë të parët e këtij sporti? A mos vallë, ne pasardhësit, jemi pa dëshirë për të vlerësuar atë që i është dhënë sportit shqiptar? Apo jemi xhelozë për ata që ndërtuan të kaluarën tonë sportive alpinistike…? Lexova pllakatin, përmbajtjen e të cilit e di prej kohësh, po këtë radhë e lexova “mirë” ngaqë më lindi ideja për të përcjellë mendimet si ma poshtë. Në pllakat është gdhendur: “Këtu më 18 korrik 1956 u organizua ceremonia e fillimit të aktivitetit të parë alpinistik në vendin tonë”.
Dhe vërtet, më 18 korrik të vitit 1956, 13 vetë, nën drejtimin e Minella Kapos, për gjatë dy javëve, mësuan për të parën herë në vendin tonë në mënyrë të organizuar për pajimet alpinistike dhe përdorimin e tyre, si dhe teknika të ndryshme të kalimit të relievit. Pjesëmarrësit, më të shumtët, ishin sportistë të cilët kishin marrë pjesë në ngjitjen e maleve tona, kryesisht pa pajime, madje as dhe me veshje të përshtatshme, si dhe ndonjë dashamirës për veprimtaritë në natyrë. E kam të lehtë të përpiloj listën e tyre falë botimit “Alpinizmi Ynë” me autor Prof.Dr.Kozma Grillo dhe memories së Koço Qafëzezi (fatkeqësisht nuk munda të gjej fotografi).
Ata janë Minella Kapo, organizator dhe drejtues i veprimtarisë; Luigj Shala, Vasil Stambuli, Petraq Kule, Manol Bozaxhiu, Myftar Marku, Grigor Perikliu, Vehbi Seiti, Bardhyl Saqillari, Dhimitër Banushi, Koço Qafzezi, Kozma Grillo, Andrea Berberi. Nga këta pjesëmarrës disa u bënë “bërthama të dijeve” alpinistike dhe i përcollën njohuritë e marra në shkolla të tjera alpinistike që u organizuan nga viti 1958 e më pas nga Universiteti i Tiranës dhe nga Bashkimet Profesionale (sot Sindikatat) në Malin e Dajtit, në Theth, në Razëm, në Voskopojë, por edhe në njësi të veçanta ushtarake.
Zhvillimi i alpinizmit në vendin tonë deri në vitin 1991 tregoi se këto shkolla, të organizuara në forma gjithnjë e më të përparuara, ishin një burim i vazhdueshëm furnizimi me elementë të ekipeve të alpinizmit, të cilat arritën të ngrihen thuajse në të gjitha rrethet. Dhe sigurisht ai pllakat, në murin e shkollës së Thethit, ja vlen të qëndrojë aty për të përkujtuar ditën e parë të shkollës së parë të alpinizmit shqiptar. Por jo i shkoqur sikundër është sot… Teksti i pllakatit, për mendimin tim, duhet korrigjuar. Sipas atij teksti, 18 korriku i vitit 1956 është dita e parë e alpinizmit shqiptar. Kjo për mua nuk qëndron.
Rinia shqiptare i ka ngjitur malet për qëllime argëtuese të paktën që nga vitet 20-të të shekullit të kaluar. Dhe ngjitja e maleve, sikundër në gjithë vendet evropiane, nuk ka filluar pasi ngjitësit kaluan apo morën pjesë në shkolla të dijeve alpinistike. Bota ka si ditë të lindjes së alpinizmit datën e ngjitjes së parë të majës së malit Mont Blank. Ata që u ngjitën atë ditë në atë majë nuk e dinin se do shënoheshin në historinë e një sporti që një ditë do i vihej emri ALPINIZËM. Ata që u ngjitën atë ditë në majën e malit Mont Blank kishin një shkop si mjet për t’i ndihmuar që të ngjiteshin. Ata nuk e njihnin, si pjesë të pajimeve të sotme alpinistike, as litarin, as kazmën, as karabinën.
Të gjitha këto pajime u shpikën më pas, (madje kunji alpin, aq i rëndësishëm, u shpik në vitin 1911) me qëllimin e mirë që ngjitësit e maleve të kishin mundësi të siguronin njëri-tjetrin e kështu të siguronin jetën e tyre. Po ashtu edhe shumë të rinj shqiptarë ju ngjitën maleve fillimisht pa pajime dhe vetëm kur i siguruan ato, kur mësuan se si t’i përdorin, i bënë ato pjesë të arsenalit alpinistik dhe rritën vështirësinë e itinerarëve që ngjisnin. Kështu historia e alpinizmit shqiptar është me dhjetëvjeçare, më e hershme se data 18 korrik 1956 dhe Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor, nëse një ditë do e rinovojë atë pllakat, i sugjeroj të fomulojë një tekst i cili t’i përgjigjet realiteteve të këtij sporti në vendin tonë.
* Mjeshtër i Edukimit