Gjergj Vyshka 13.04.2015 14:40
Regbija në Shqipëri së pari është tentuar të zhvillohet nga disa amerikanë në ish-kompleksin “Dinamo”. E më pas gjithçka ka ardhur nga përtej detit. Një grup i organizuar nga Gaspër Daupi, atje ku ka qenë edhe Ogert Pako, ka bërë disa ndeshje e turne jo vetëm në regbinë 7 me 7, por dhe atë 15 me 15.
Më 2011-tën, me mbështetjen e përfaqësuesve të zonës Friuli/Veneto, apo të Doxhit, është zhvilluar një ndeshje prezantimi në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz. Mandej dhe një tjetër më 3 gusht 2013 në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë. Por vetëm kaq.
“Shqiptarët që luajnë në regbi janë rreth 40 të tillë që luajnë në Itali të federuar me klube të ndryshme që nga Kategoria C deri dhe tek dhjetëshja e ekipeve më të forta, – ka thënë Pako. – Por ka dhe të tjerë që luanë në Angli, Francë apo vendet e tjera të Evropës.”
“Ne jemi gjithnjë në pritje të rezultateve dhe përgjigjeve nga Ministria për të zhvilluar regbinë në vendin tonë”, – ka përfunduar Pako, që është shqiptari i vetëm në kombëtaren e veteranëve të Italisë. Ndërkohë, Kombëtarja e Shqipërisë në qershor do të marrë pjesë në turneun e Milanos, si dhe është në pritje të përgjigjes nga Zvicra për një miqësore në regbinë e madhe 15 me 15.