AlbanianSport.com 21.04.2015 13:10
Gara e parë e notit mendohet të jetë ajo e zhvilluar në vitin 1920 në Shirokë në disiplinën e 100 metrave në të cilën morën pjesë 15 vetë. Ky vit konsiderohet edhe si fillimi i këtij sporti në Shkodër. Më pas për ta vërtetuar rëndësinë e këtij sporti tek shoqëritë që ekzistonin në atë kohë konstatohet se organizimi i garave të notit është edhe në statutin e shoqërisë “Djelmënia shkodrane” në vitin 1924. Edhe shoqëritë e tjera kishin në programin e tyre notin.
Këtë gjë kishte në program edhe shoqëria “Bashkimi Sportiv shkodran”, që do krijohej në vitin 1930. Ajo do të zhvillonte kampionate lokale në mes anëtarëve, madje anëtarët e saj do merrnin pjesë edhe në kampionatin kombëtar të zhvilluar në Durrës në vitin 1931. Po ashtu edhe në kampionatin e vitit 1934, atje ku veçohen rezultatet e arritura nga Lin Shestani, që zë vende të para në disa disiplina. Me shkrirjen e “Bashkimit Sportiv shkodran” në vitin 1934 dhe formimin sërish të shoqërisë “Vllaznia”, edhe ajo do ta ketë në programin e saj notin.
Një nga drejtuesit e kësaj shoqërie që merrej me notin ishte mësuesi Rustem Lopçi. Në garat e vitit 1935 u dalluan notarë të tjerë si Hamdi Nurja, Ndoc Cuku, Rexhep Bërdica, Vlash Marku, Ndoc Filipi, Vogël Nika etj. Pas çlirimit të vendit noti do vazhdonte të ishte një nga sportet e elitës në klubin Vllaznia. Fakti që Shkodra është e rrethuar nga ujërat në të gjitha anët bënte që amatorët e këtij sporti të ishin të shumtë. Njëkohësisht edhe sportistë kampionë dhe rekordmenë.
Sportistë të tillë në vite mund të përmenden Tef, Mark, Zef dhe Rrok Shestani, Selami e Zeqir Ibrahimi, Enver Muriqi, Azem Plisi, Nazmi Cirilami, Fatmir Halili, Smajl Mehja, Ethem Avdia, Ilir Ymeri, Sadi Anadolli, Halim Zaganjori, Tonin Radovani, Kol Shiroka, etj. Pa lënë mënjanë brezin e fundit të notarëve të suksesshëm me Moisi Shestanin dhe Besnik Kronin. Për të kuptuar sesa të suksesshëm kanë qenë notarët shkodranë mjafton të kujtojmë se Selami Ibrahimi, i cili ka thyer plot 107 rekorde gjatë karrierës së tij.
Ndërkohë sa i takon sukseseve si ekip, Vllaznia ka arritur të fitojë titullin kampion 6 herë pikërisht në vitet 1958, 1959, 1961, 1963, 1964, 1966. Tek femrat ndërkohë do të spikasin emra të tillë si ato të Kudrete Kozmajt, Anjeza Shestani, Esma Vorfës, Flutura Shkenza, Anila Egerçi, Mimoza Aliaj, Sabahet e Kudret Meshku, R. Voci e shumë të tjera. Për të mbërritur tek Rovena Marku, e cila ka bërë ligjin në pishinat shqiptare prej vitesh duke u shpallur kampione në shumë disiplina,.ndërsa ka bërë të sajat edhe shumë rekorde kombëtare.