AlbanianSport.com 14.11.2014 19:35
ASNN – Sulmuesi i Himarës, Romario Shenaj, i cili në karrierën e tij ka luajtur edhe me Nurembergun në Gjermani, ka bërë disa paraqitje të mira për skuadrën e tij në Kategorinë e Dytë. Ai tashmë pret “shpërthimin” duke nisur që nga ndeshja që do ta luajnë në shtëpi përballë Këlcyrës.
Në një deklaratë të dhënë për gazetat sportive të ditës, sulmuesi kryesor i Himarës, u shpreh: “Po punojmë fort në të gjitha drejtimet për të bërë një paraqitje dinjitoze në ndeshjen e radhës atë me Këlcyrën, që do ta luajmë në shtëpi. E vlerësojmë dhe e respektojmë në të njëjtën kohë ekipin e Këlcyrës”.
“Por me keqardhje i them me bindje të plotë që i pret humbja në Himarë, – ka vijuar ai. -Grupi i futbollistëve që kemi në skuadër besoj se premton shumë për të ardhmen dhe falë kontributit të të gjithë sot jemi në kuotën e 10 pikëve në tabelën e renditjes. Me mbështetjen e tifozëve himarjot besoj se do t’ia dalim mbanë edhe në këtë ndeshje.”