AlbanianSport.com 04.10.2014 20:00
ASNN – Himara, pas një dite pushimi, ka nisur përsëri stërvitjet në Vlorë, atje ku është duke u përgatitur për ndeshjen e javës së dytë në fushë të huaj me Përmetin. Në seancën stërvitore, të drejtuar nga trajneri Shpëtim Imeraj, kanë qenë të pranishëm të gjithë futbollistët.
I cituar nga gazetat sportive të ditës, portieri i Himarës, ka Sadikllari deklaruar: “Fitorja me Memaliajn në shtëpi na ka gëzuar të gjithëve duke na e rritur moralin përpara vizitës përmetare. Ekipi është në rrugën e duhur, ndërsa kemi nisur përgatitjet për sfidën e radhës dhe drejt Përmetit udhëtojmë vetëm për një rezultat pozitiv.”
“Mos të harrojmë që skuadra nuk ka më shumë se 3 javë që është ndërtuar, – ka vijuar ai. – Pra kemi të bëjmë me një grup të ri futbollistësh, që ende s’e njohin mirë njëri-tjetri. Megjithatë ne do të mundohemi që të përshtatemi sa më shpejt me njërin-tjetrin dhe t’i mbajmë repartet të lidhura për të prodhuar lojë.”
“Shpresojmë që dhuna në futbollin shqiptar të mos ekzistojë më dhe tifozët të vijnë të mbështesin skuadrën e tyre. Ky është një mesazh për të gjithë, sidomos për skuadrat e Kategorisë së Dytë, sepse duhet të ketë më shumë kulturë në fushat e futbollit”, – ka përfunduar gardiani i portës himarjote, Sadikllari.