AlbanianSport.com 01.10.2014 14:35
ASNN – Himara, nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Imeraj, është duke zhvilluar përgatitjet e saj intensive për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, e cila do të jetë përballë kampionëve të Kategorisë Superiore ndaj Skënderbeut. Dje himarjotët u kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve, ndërsa për gazetat sportive të ditës, Anxhelo Metaj do të deklaronte: “Pas fitores me Memaliajn për kampionat, në këtë sfidë të Kupës ne vijmë me moral më të lartë”.
“Edhe pse vështirësitë dihen ne duhet të japim maksimumin përballë kampionëve dhe të tregojmë shpirt të lartë gare, – ka vijuar futbollisti himarjot. – Sepse jo gjithçka arrihet me miliona, pasi nëse ke dëshirë, grintë dhe sedër mund të arrish të marrësh maksimumin. Skënderbeu është një skuadër për t’u vlerësuar dhe për t’u admiruar për atë çka ka shfaqur gjatë këtyre katër viteve të fundit, teksa është rikonfirmuar si kampion i Shqipërisë.”
“Ata janë ekipi që duhet mundur. Ne do luajmë me gjithë shpirt dhe do të mundohemi me të gjitha mënyrat për të rimarrë një rezultat pozitiv. Shpresojmë që me ndihmën e tifozëve t’ia dalim mbanë”, – ka përfunduar futbollisti i Himarës, Anxhelo Metaj. Ndërkohë formacioni i mundshëm i Himarës do të jetë: Sadikllari, Meta, Guaci, Rasi, Kaçani, Mino, Veshaj, Brozi, Prifti, Breshani, Hyska.