AlbanianSport.com 06.12.2014 17:35
ASNN – Anxhelo Meta, lideri i skuadrës himarjote në një deklaratë për gazetat sportive të ditës ka treguar se ekipi është gati për ta fituar ndeshjen e së dielës ndaj Turbinës. “Këtë javë presim në shtëpi skuadrën e Turbinës, – ka deklaruar ai. – Padyshim që do të jetë një sfidë e vështirë për nga rëndësia dhe vështirësia që ka ky takim. Gjithsesi ne do të hyjmë në fushë vetëm me një objektiv, marrjen e tre pikëve.”
“Nuk pajtohemi me asnjë rezultat tjetër veç 3 pikëve, – ka vijuar futbollisti i bregdetarëve. – Nuk kemi rrugë tjetër, është kundërshtari ynë direkt në luftën për titull dhe mendoj se do ta kalojmë edhe këtë takim. Këtu i referohem formës së mirë që po kalon ekipi, atje ku fitorja me Egnatian në ndeshjen e vështirë të Rrogozhinës na ka bërë me krahë. Megjithatë unë i qëndroj mendimit se s’duhet të jemi euforikë.”
“Kjo, pasi s’kemi bërë asgjë më shumë se çfarë kishim menduar në fillim të kampionatit, – ka theksuar Meta. – Megjithatë ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe duke e vlerësuar në maksimum kundërshtarin e radhës. Besoj se pika jonë më e fortë si skuadër është grupi dhe jo individi, pasi ne si ekip bazohemi shumë tek grupi i futbollistëve, pavarësisht kualiteteve që kemi në ekip.”
“Shpresoj shumë dhe i ftoj të vijnë e të na mbështesin në këtë takim kaq të rëndësishëm dhe delikat për vazhdimësinë”, – ka përfunduar deklaratën e tij mbrojtësi i djathtë i Himarës, Anxhelo Meta.