AlbanianSport.com 28.08.2015 08:55
ASNN – Aventura dhe rekordi i skuadrës së Skënderbeut në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të kontinentit, Ligës së Kampioneve, njolloset nga dyshimet se skuadra kampione e Shqipërisë ka trukuar të paktën dy takime gjatë 3 tureve eliminatore.
Gazeta spanjolle “El Pais” thotë se “Federbet”, një organizatë e ngritur nga Komisioni i Evropës për të luftuar trukimet në fushën e sportit, po heton skuadrën shqiptare në dy takime. I pari është takimi i luajtur me irlandezo-veriorët e Krusejdërs në Irlandë, ku korçarët humbën me rezultatin 3-2.
Deri pak minuta para përfundimit të takimit rezultati ishte 2-1 në favor të Skënderbeut, por vendasit përmbysën gjithçka brenda pak sekondave. Kjo ka ngjallur dyshime për një trukim të mundshëm të ndeshjes dhe “Federbet” thotë se po heton “sjelljen e lojtarëve të Skënderbeut në fushë” në minutat e fundit të ndeshjes.
Dyshimet janë përforcuar edhe nga kuotimet në baste, por edhe nga një deklaratë e mëpasshme e portierit të Krusejdërs, që e akuzoi skuadrën shqiptare për tolerim në minutat e fundit dhe ato shtesë. Takimi i dytë që hetohet është ai i kthimit me Dinamon e Zagrebit.
“Federbet” po heton pjesën e dytë të ndeshjes, kur kroatët, megjithëse ndodheshin me një lojtar më pak në fushë, shënuan edhe dy gola të tjerë. Përveç kësaj, kuotat në baste për vendasit me 10 lojtarë në fushë, në vend që të rriteshin, u ulën. Skënderbeu kaloi në dy turet e para irlandezo-veriorët e Krusejdërs dhe moldavët e Milsamit.
Por ëndrra për të vazhduar në grupet e Ligës së Kampioneve u davarit në përballjen me Dinamon e Zagrebit. Kroatët fituan të dyja takimet, të parin në “Elbasan Arena” me rezultatin 2-1 dhe të dytin në Kroaci 4-1. Por aventura e korçarëve në Kupat e Evropës nuk mbyllet këtu. Kampionët e Shqipërisë do të luajnë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, ku presin këtë të premte hedhjen e shortit për të mësuar kundërshtarët.