AlbanianSport.com 24/02/2021 15:40
ASNN – Hidhet shorti i fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia “peshkon” Korabin, Laçi dhe Partizani, por edhe Teuta dhe Kukësi “përplasin brirët”, teksa më të bukur e bën fakti se do të luhen vetëm me një takim. Edhe kjo fazë do të jetë me vetëm një ndeshje, teksa të katërta sfidat janë parashikuar për t’u luajtur më 17 mars. Kështu, na pret padyshim një fazë çerekfinale me shumë emocione. Është hedhur paraditen e të mërkurës shorti për çerekfinalet e veprimtarisë së dytë të futbollit në vend, Kupës së Shqipërisë, për edicionin 2020-2021.
Ky short u zhvillua në mjediset e Stadiumit “Arena Kombëtare”, në sallën e konferencave për shtyp dhe ishte i hapur për mediat, por në respektim të masave kufizuese të vendosura për shkak të pandemisë COVID-19. Skuadrat e kualifikuara për në fazën çerekfinale janë Korabi, Laçi, Teuta, Dinamo, Kukësi, Skënderbeu, Partizani dhe Vllaznia. Nga shorti u përcaktuan katër çiftet, ndërkohë që është parashikuar që ndeshjet e kësaj faze të luhen më 17 mars. Goglat i kanë buzëqeshur kryesueses së renditjes së Kategorisë Superiore, Vllaznisë.
Shkodranët kanë “peshkuar” Korabin, që militon në Kategorinë e Parë. Përballje tepër interesante pritet të jenë ato mes Laçit dhe Partizanit, Teutës dhe Kukësit si dhe Dinamo-Skënderbeu. Siç është bërë tashmë e ditur skuadrat e kualifikuara do të përcaktohen me një ndeshje dhe jo me sistem vajtje-ardhjeje. Sezonin e shkuar ishin durrsakët që ngritën trofeun, ndërsa këtë sezon disa skuadra të mëdha nuk janë në lojë. Bylisi, Tirana, Kastrioti dhe Apolonia janë katër skuadrat e Superiores që nuk janë pjesë e këtij kompeticioni.
KUPA E SHQIPËRISË:
Shorti i çerekfinaleve:
LAÇI – PARTIZANI
VLLAZNIA – KORABI
TEUTA – KUKËSI
DINAMO – SKËNDERBEU