AlbanianSport.com 13.12.2016 12:55
ASNN – Pasi janë përcaktuar edhe trajnerët përkatës, përfaqësuesja shqiptare dhe ajo e Kosovës e grupmoshave Nën-19 dhe Nën-17-vjeçarëve, kanë mësuar fatin e tyre në rrugën e eliminatoreve evropiane të sezonit 2017-2018.
Në shortin e hedhur nga UEFA, 19-vjeçarët kuqezinj janë vendosur në Grupin e 12-të, me Ukrainën, Norvegjinë dhe Malin e Zi, ndërsa ata të Kosovës në Grupin e 6-të, me Austrinë, Izraelin dhe Lituaninë.
Dy të parat e çdo grupi do t’i bashkohen Spanjës dhe Portugalisë në “Turin Elitë, ndeshjet e të cilit do të zhvillohen në vitin 2018. Ndërkaq, në kategorinë e grupmoshës së Nën-17-vjeçarëve, kuqezinjtë ndodhen në Grupin 2.
Aty, ata do të përballen me Spanjën, Kroacinë dhe Lihtenshtejnin. Përsa i përket Kosovës, ajo ndodhet në Grupin 9 me Holandën, Uellsin dhe Hungarinë. Ndeshjet Eliminatore do të nisin më 19 nëntor të 2017.
Dhe 2 skuadrat e para të çdo grupi, së bashku me 4 të 3-tat më të mira do t’u bashkohen Gjermanisë e Portugalisë në fazën tjetër të kësaj faze, që njihet si “Turi Elitë”.