AlbanianSport.com 11/12/2017 13:05
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve ka hedhur sot në mesditë shortin e turit të 16-shes, një fazë kjo, që ndryshe nga ajo e grupeve, është me eliminim të drejtpërdrejt pas dy ndeshjeve, vajtje-ardhje. Kështu, duke përvijuar rrugën drejt finales së Kievit, shorti i hedhur në Nion të Zvicrës, ka dhuruar disa duele interesante, në një fazë ku, si asnjëherë më parë, thuajse 1/3-ta e skuadrave janë angleze.
Kështu, në çiftin e parë, kampionia e Anglisë, Juventusi, do të përballet me Totenhemin, ndërsa një tjetër skuadër angleze, ajo e Mançester Sitit, duket se është përkëdhelur nga shorti, pasi përballë do të ketë një rivale modeste si zviceranët e Bazelit. Interesant do të jetë dueli midis Portos dhe Liverpulit, ndërsa në një tjetër duel anglo-iberik, Sevilja do të sfidojë Mançester Junajtid, skuadrën që erdhi në Ligën e Kampioneve pasi fitoi sezonin e shkuar Ligën e Evropës.
Padyshim, çifti më i spikatur i turit të 16-shes është ai midis Realit të Madridit dhe Paris Sen Zhërmenit, ndërsa jo më pak i fortë pritet të jetë dueli midis Çellsit dhe Barcelonës. Në dy çiftet e fundit, Shahtjori i Donjeckut ndeshet me Romën, kurse Bajerni i Mynihut me Beshiktashin. Ndeshjet e para të turit të 16-shes të Ligës së Kampioneve luhen më 13 e 14 dhe 20 e 21 shkurt, ndërsa ato të kthimit më 6 e 7 mars dhe 13 e 14 mars 2018, ndërsa finalja më e madhe e kësaj veprimtaria madhore të klubeve të kontinentit luhet më 26 maj të vitit të ardhshëm në Stadiumin Olimpik të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.