AlbanianSport.com 26/02/2021 16:25
ASNN – Përvijohen 8 betejat, spikat Mançester Junajtid-Milan, gjithçka erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport. Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, ka hedhur të premten shortin e turit të 16-shes. Ky short, ashtu sikundër i gjithë ky sezon i Ligës së Evropës, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.
Pas mbylljes të enjten të turit të 32-shes, veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, ka hedhur të premten shortin e turit të 16-shes. Midis përballjeve të kësaj faze me eliminim të drejtpërdrejtë spikat padyshim dueli midis Mançester Junajtid dhe Milanit. Anglezët, që e kanë fituar këtë veprimtari në 2017-ën, erdhën në turin e 32-shes pas eliminimit nga faza e grupeve të Ligës së Kampioneve, por u kualifikuan për në turin e 16-shes me një paraqitje bindëse ndaj Real Sociedadit.
Ndërsa e kundërta ishte me italianët, gjysmëfinalistë më 1972-shin dhe 2002-shin, që vuajtën në turin e 32-shes përballë Crvena Zvezdës. Ndërkaq, shorti ka dhuruar çifte kryesisht të baraspeshuara në duelet e tjera, duke shmangur edhe përballjet e skuadrave të të njëjtit vend. Ajaks do të sfidohet nga zviceranët e Jang Bojs, që janë debutues në këtë fazë, kurse intrigues janë edhe duelet Dinamo Kiev-Vijareal dhe Roma-Shahtjor Donjeck.Dy skuadrat e tjera angleze, Arsenali dhe Tohenhemi, sfidojnë dy ekipe të njohura ballkanase, përkatësisht Olimpiakosin dhe Dinamon e Zagrebit, ndërsa në dy çiftet e fundit, Sllavia e Pragës përballet me Gllasgou Rejnxhërs, ndërsa Molde sfidon Granadën. Ndeshjet e para të turit të 16-shes luhen më 11 mars, ndërsa ato të kthimit, një javë më pas, më 18 mars 2021.
Liga e Evropës
Shorti i turit të 16-shes
Ajaks – Jang Bojs
Dinamo Kiev – Vijareal
Roma – Shahtjor Donjeck
Olimpiakos – Arsenal
Dinamo Zagreb – Totenhem
Mançester Junajtid – Milan
Sllavia Pragës – Gllasgou Rejnxhërs
Granada – Molde
Ndeshjet e para të turit të 16-shes luhen më 11 mars, ndërsa ato të kthimit, më 18 mars 2021.