AlbanianSport.com 17/12/2018 15:45
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit ka hedhur të hënën shortin e turit të 16-shes së Ligës së Kampioneve, duke ofruar disa çifte interesante, midis të cilëve spikat dueli anglo-gjerman, Liverpul-Bajern i Mynihut. Kështu,është hedhur të hënën në Nion të Zvicrës shorti i turit të 16-shes dhe, pas mbylljes së fazës së grupeve, tanimë Liga e Kampioneve përjeton emocionet e eliminimit të drejtpërdrejtë.
16 skuadrat që siguruan kalimin për më tej kanë njohur kundërshtarët e radhës në betejën e tyre drejt trofeut të vyer kontinental. Padyshim, dueli midis Liverpulit dhe Bajernit të Mynihut është më i forti në këtë fazë. Trajneri gjerman i “të kuqve” anglezë Jurgen Klop, do të përballet me bashkatdhetarët e tij, bavarezët, një rival të cilin e kishte edhe kur drejtonte Dortmundin në Bundesligë.
Për ekipet italiane ka short të pranueshëm, sidomos për Romën, e cila do të përballet me Porton. Një short të pranueshëm pati dhe Real Madrid, të cilit goglat i dhuruan kundërshtar Ajaksin. Në fakt, holandezët kanë namin e madh, por për emrat që janë në garë Ajaksi duket short relativisht i lehtë për kampionët në fuqi të Evropës. Edhe Mançester Siti buzëqeshë pas shortit të së hënës.
Sepse goglat i rezervuan përballë Shalke 04-ën, skuadër që Siti e kishte dhe në fazën e grupeve si rivale. Për trajnerin Pep Guardiola ky short ishte me fat. Edhe Barcelona mund të gëzohet në këtë fazë, sepse përballë ka Lionin. Dy duelet e mëdhenj dhe mjaft të vështira janë Mançester Junajtid-Paris SG, si dhe Totenhem-Borusia e Dortmundit, sepse janë duele mes kundërshtarësh pak a shumë në të njëjtin nivel.